Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter u nderua të enjten me një funeral në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, përpara se të varroset në shtetin e tij të Xhorxhias.
Në ceremoninë funebre të Uashingtonit morën pjesë Presidenti Joe Biden, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, si edhe ish-presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. Presidenti Biden mbaji fjalimin kryesor për nder të tij.
"Miqësia e Jimmy Carterit dhe jeta e tij më mësuan se fuqia e karakterit është më e rëndësishme sesa titulli dhe pushteti që kemi: Është forca se gjithkush duhet trajtuar me dinjitet, respekt dhe se çdokush meriton shanse të barabarta. Kemi detyrimit të mos lejojmë hapësirë për urrejtje dhe të mos pranojmë mëkatin më të madh, abuzimin me pushtetin", tha Presidenti Biden në fjalimin e tij.
Trupi i ish-Presidentit Carter u dërgua në Katedrale nga Kapitoli, ku publiku amerikan bëri nderimet e fundit për të që nga e marta.
Publiku dhe folësit në ceremoni, theksuan arritjet dhe humanizmin e ish-presidentit 100-vjeçar, i cili vdiq muajin e kaluar.
"Ai ndërtoi shtëpi për njerëzit në nevojë," tha Joshua Carter, një nga nipat e tij i cili kujtoi se si zoti Carter rregullisht jepte mësim në shkollën e kishës të dialave në vendlindjen e tij Plains të Xhorxhias, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.
“Ai eliminoi sëmundje në vende të harruara. Ai bëri paqe kudo në botë, kudo që shihte një shans. Ai i donte njerëzit”, tha Joshua.
Jason Carter, një nip tjetër i ish-presidentit, lavdëroi gjyshin e tij dhe gruan e tij Rosalynn, e cila vdiq në vitin 2023.
"Ata ishin njerëz nga qytete të vogla që nuk harruan kurrë se kush ishin dhe nga ishin, pavarësisht se çfarë arritën në jetën e tyre," tha Jason, i cili kryeson Qendrën Carter, një operacion global humanitar i themeluar nga ish-presidenti pasi la detyrën.
Ceremonia ofroi një pamje të pazakontë bashkimi për kombin në një epokë të ndasish dhe polarizimi. Ish-presidenti Barack Obama dhe presidenti i zgjedhur Donald Trump, rivalë politikë që kanë shkëmbyer polemika me njeri-tjetrin prej vitesh, u ulën pranë njëri-tjetrit të enjten dhe biseduan për disa minuta, madje duke qeshur.
Ndërsa Presidenti i zgjedhur Trump shkoi të ulej në vendin e tij përpara se të fillonte shërbesa, ai shtrëngoi duart me Mike Pence në një ndërveprim të rrallë me ish-nënpresidentin e tij.
Arkivoli i ish-presidentit i mbështjellë me flamur mbërriti në hollin e Kapitolit të martën, përpara funeralit shtetëror të së enjtes.
Në atë hapësirë madhështore – ku vetëm për rreth 50 amerikanë është bërë ky nderim i veçantë që nga viti 1852 – udhëheqësi i shumicës së Senatit Jon Thune, në një shërbesë të martën vonë, e përshkroi ish-Presidentin Carter si: “Një veteran i marinës, fermer kikirikësh, guvernator i Xhorxhias. Dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara. Mësues në shkollën e kishës. Fitues i çmimit Nobel. Mbrojtës për paqen dhe të drejtat e njeriut. Dhe para së gjithash, një shërbëtor besnik i krijuesit të tij dhe bashkëqytetarëve të tij".
Dhe Nënpresidentja Harris – e cila një ditë më parë, në këtë ndërtesë, çertifikoi fitoren e presidentit të ardhshëm – lartësoi politikën e ish-Presidentit Carter.
"Ai ishte presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që kishte një politikë gjithëpërfshirëse energjetike, përfshirë sigurimin e një pjese të mbështetjes së parë federale për energjinë e pastër", tha ajo të martën.
"Ai gjithashtu miratoi mbi dymbëdhjetë pjesë të mëdha të legjislacionit në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Dhe më shumë se dyfishoi madhësinë e parqeve kombëtare të Amerikës".
Zoti Carter, i cili shërbeu si presidenti i 39-të, vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare në shtëpinë e tij në Xhorxhias. Që atëherë, udhëtimi i tij i fundit e kaloi arkivolin e tij nëpër rrugët e ngushta të vendlindjes së tij të thjeshtë, qytezën Plains; nëpër bulevardet e Atlantës, kryeqytetit të shtetit, dhe përmes qiejve në Uashingtonin me dëborë, për funeralin e tij shtetëror./ VOA