SPANJË- 4.5 tok kokainë janë kapur në një anije mallrash gjatë një operacioni të organizuar nga autoritete spanjolle në lindje të ishujve Kanarie. Si pasojë e operacionit janë arrestuar 15 anëtarë të ekuipazhit, mes tyre 2 shqiptarë dhe 13 pakistanezë.
Anija e mallrave vinte nga Amerika e Jugut. Trafikantët u zbuluan pasi anija e mallrave ishte ngarkuar me 200 ton kafe të deklaruara, shumë më pak se kapaciteti aktual i ngarkesës së anijes, gjë që tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve përgjegjës për operacionin.
Ky operacion, i drejtuar dhe i koordinuar nga Prokuroria Kundër Drogës në Gjykatën Kombëtare, i shtohet atyre të kryera deri më sot në të ashtuquajturën 'Rruga e Atlantikut' të kokainës, e njohur për përdorimin e anijeve të peshkimit, tregtarët dhe transportuesit e mallrave, të ardhur nga Amerika e Jugut që transportojnë substanca narkotike mes Atlantikut për futjen e tyre të mëvonshme në kontinentin evropian.
Momentalisht emrat e të arrestuarve nuk bëhen të ditur, ndërsa mediat spanjolle shkruajnë se sekuestrimi i kësaj sasie të madhe kokaine u bë falë bashkëpunimit të disa agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.