Një turiste polake ka ndërruar jetë në Durrës, pasi ka rënë nga pallati ku ishte akomoduar për pushime. Sipas policisë ngjarja ka qenë aksidentale. 55-vjeçarja Barbara Vashkov ra nga kati i gjashtë i një hoteli që ndodhet në lagjen nr.13 në Durrës.
Turistja polake e cila ndërroi jetë aksidentalisht ishe akomoduar në Hotel Royal në plazhin e madh së bashku me bashkëshortin e saj në katin e gjashtë të hotelit. Sipas burimeve për Report Tv, gruaja ka rënë nga kati i 6-të në orën 2 të mëngjesit duke gjetur vdekjen, pasi ka rënë në pishinën e hotelit. Ata kishin 5 ditë me pushime në Durrës.
Siç Report Tv mëson, gruaja ra në pishinën e hotelit Royal në Durrësit dhe fillimisht u konstatua nga personeli i hotelit që e nxorën nga uji, por fatkeqësisht pa shenja jete. Hetuesit po hetojnë për shkaqet dhe deri më tani gjithçka dyshohet të jetë aksidentale.
Paraprakisht hetuesit dyshojnë që gruaja të ketë pasur shqetësime shëndetësore, një luhatje e mundshme tensioni. Por grupi hetimor nuk përjashton as mundësinë që shkak të jetë bërë konsumimi i pijeve alkoolike, dhe për të shuar çdo dyshim do të kryhen analizat toksikologjike që përgjigja të jetë shkencore.