VLORË- Jurgen Zotaj, 31 vjeçari që qarkullonte me armë zjarri pistoletë në automjet ndërkohë që ishte në kërkim për vjedhje me dhunë, është kapur në flagrancë dhe është vënë në pranga. Edhe pasagjeri në këtë automjet, Ermal Binjaku, është arrestuar për moskallëzim krimi.
Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me municion luftarak dhe automjetin luksoz tip 'Range Rover' që drejtonte 31-vjeçari.
"Shërbimet e Delta Force, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për dy shtetas që po qarkullonin në fshatin Kotë me automjet dhe dyshoheshin se ishin të armatosur dhe mund të kryenin ndonjë veprimtari kriminale, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Outside", si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- Jurgen Zotaj, 31 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit";
- Ermal Binjaku, 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit", njoftoi policia.
Në vendin e quajtur “Fusha e Murrës”, në fshatin Kot, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin dhe gjatë kontrollit fizik, 31-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë, me vendimin e datës 17.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale" “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.