BARI- Një rimorkiator në Ankona është mbytur mbrëmë në ujërat e Adriatikut, 50 milje larg brigjeve të Barit, ndërsa për pasojë kanë humbur jetën 5 persona, 1 prej tyre tunizian dhe 4 italianë. Rimorkiatori u fundos për shkak të erës shumë të fortë.
Kapiteni i anijes, një 63-vjeçar sicilian është i vetmi nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit që arriti të shpëtonte, ndërsa tani ndodhet i shtruar në spitalin e Barit. Kapiteni Giuseppe Petralia, mbërriti në urgjencën e spitalit Di Venere në orën 11:00, i shpëtuar pasi kishte notuar për orë të tëra me një jelek shpëtimi. 63-vjeçari kishte vështirësi në frymëmarrje për shkak ujit të detit dhe dhimbjes së qafës.
Rimorkiatori i Italisë ‘Franco P’, ishte nisur nga Bari drejt Shqipërisë. Mediat italiane shkruajnë se anëtarët e ekuipazhit nuk kishin kohë as të jepnin alarmin e fundosjes, rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme. Autoriteti Portual i Barit po verifikon ndotjen e mundshme të detit ku është mbytur rimorkiatori.