Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën nacionale Lushnje-Berat. Një mjet tip furgon ka marrë përpara një karrocë me gomar, duke lënë të vdekur një 77-vjeçar.
Rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm shtetasi Kostandin Verushi, i cili ishte nisur duke shkuar tek tokat e tij, sapo ka dalë në rrugën nacionale Lushnje-Berat është goditur nga një furgon transporti.
77-vjeçari si pasojë e goditjes ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka ndaluar drejtuesin e furgonit dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Në këtë pjesë të rrugës nacionale, fermerët e kanë të detyrueshme që të përshkojnë autostradën pasi kanë tokat bujqësore në anën tjetër të rrugës, ndërkohë që aksidentet janë të shpeshta.