Deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, shkruan në Facebook se marrëdhëniet brenda mazhorancës janë në prag shpërthimi.
 
Sipas tij, lufta për eliminimin e njëri-tjetrit ka arritur pikun.
 
"Situata është shpërthyese. Kazani po zien. Për më tepër, brenda koalicionit, sherret dhe lufta për eliminimin e njeri-tjetrit ka arritur në shkallën sipërore", shkruan Islami në Facebook.
 
Postimi i plotë i deputetit të PD

"Gjithçka ndodh nuk është aspak çudi. E parashikuar me kohë.
 
Korrupsion në nivele historike, kriminelë e banditë në qeverisje, maxhorancë dhe në të gjithë pikat kyçe të administratës. Kusarë, trafikantë, dhunues të Kushtetutës në krye të kupolës për zhvatjen e fondeve e aseteve publike në çdo qelizë të Rilindjes. Perversitet, amoralitet, mashtrime, kërcënime, arrogancë, banalitet është sjellja që dominon këtë qeverisje sektare.
 
Burgosje, përgjime, gjobitje janë mekanizimat për nënshtrimin e qytetarëve dhe vrasjen e reagimit e të shpresës. Kriza ekonomike, rrënimi, papunësia, varfëria, rënia e konsumit, fuqisë blerëse, falimentimi i bizneseve vendase, largimi i investitorëve të huaj, prag-largimi i bankave serioze janë realiteti dhe frika qe i detyron qytetarët të largohen.
 
Situata është shpërthyese. Kazani po zien. Për më tepër, brenda koalicionit, sherret dhe lufta për eliminimin e njeri-tjetrit ka arritur në shkallën sipërore. Po kalben, po fermentohen, po qelbin dynjanë dhe Rama i fshehur lëshon marrëzi nga Twitter apo FB. Fjalë pa kuptim që edhe Shvejku do ta kishte zili.
 
“Rilindja e Madhe” po shpon qeverisjen e vet. Këtë po thonë çdo ditë e më shpesh qytetarët
", shkruan Islami.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com