Itali- Zbardhen detaje të tjera nga maksioperacioni i Antimafias italiane dhe Policisë, për goditjen e një bande shqiptare, që grabiste vila luksoze, por më pas u zbuluan depot e mbushura me lëndë narkotike, vlera e të cilës nëse do të shitej me pakicë shkonte deri në 25 milionë euro sipas hetuesve.
Konfirmohen mbi 60 persona të akuzuar, nga të cilët 39 janë në gjendje arresti. Sekuestrohen 250 kilogramë kokainë që vinte nga Amerika e Jugut dhe 40 kg hashash.
Hetimet e drejtuara nga Antimafia e Firences zbuloi se organizata shtrinte trafikun e drogës deri në San Marino.

Hetimi i nisur muaj më parë nga Seksioni i Operacioneve të Ricciones, çmontoi më 5 shkurt rrjetin kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, aktivë në Emilia-Romagna dhe rajone të tjera të Italisë.
Operacioni në të cilin morën pjesë 200 efektivë, u zhvillua në disa provinca me mbështetjen e departamenteve të specializuara dhe forcave lokale të policisë.
Hetuesit thanë se organizata pasi kryente grabitjet me vlerë qindra mijëra euro, këto i investonte në blerjen e sasive të drogës, nga e cila shumëfishonte edhe fitimet. Trafiku kishte si objektiv kryesor shpërndarjen me dërgesa të porositura në banesat e klientëve, në Riviera, Marche dhe San marino. Hetuesit thanë se klani kriminal ka kryer blerje të drogës me vlerë 8 milionë euro në treg shumice dhe që do trefishohej pas përgatitjes së saj laboratorike apo prerjes.
Gjatë kontrollit u gjetën armë zjarri, bizhuteri, ora dhe mallra luksi me vlerë mijëra euro. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu një lidhje të mundshme mes një prej grupeve kriminale dhe vjedhjes së ndodhur më 29 dhjetor në shtëpinë e Pierina Paganelli, gruas së vrarë më 3 tetor 2023, në “Via del Ciclamino”, në në Rimini, ende e pazbardhur.
Hynë nga dritarja dhe morën kasafortën me valutë dhe bizhuteri.
Zëvendësprokurorja Davide Ercolani dhe Karabinierët e Rimini po hetojnë këtë hipotezë. I rëndësishëm është edhe kapja e një të arratisuri të rrezikshëm në Piacenza, në shoqërinë e gruas së tij, pjesë e një bande ‘skifterësh’, që ndihmohej edhe nga një karabinierë për grabitjet e të moshuarve në zonë, informon media e vendit fqinj.
Gjykata deri tani ka vendosur 26 masa sigurie me burg, 3 me arrest shtëpiak dhe 10 marrje në pyetje. Të tjerët po hetohen në gjendje të lirë dhe disa nga të dyshuarit janë ende të pa gjurmuar dhe besohet se fshihen edhe në Shqipëri.
Komente

