VARESE- Policia e Varese arrestoi dy persona të tjerë të akuzuar për drogë, mes tyre edhe një shqiptar 26-vjeçar, teksa më herët kishte kapur edhe një bashkëatdhetar tjetër të tij.
I ndaluari shqiptar me inicialet M.R., u prangos bashkë me një 24-vjeçar italian, të dy me precedentë penalë dhe banues në Angli. Ata akuzohen për posedim me qëllim shitjen e rreth 2 kilogramëve dhe 100 gram hashash.
Në Varese agjentët Antidrogë po zhvillojnë një operacion me shkallë të gjerë për pastrimin e qytetit nga shpërndarësit e drogës, që janë kthyer në shqetësim.
Oficerët ndoqën një mjet të dyshuar ku hipi dhe shqiptari 26-vjeçar. Pas kontrollit fizik, në një kuti metalike të fshehur mirë u zbuluan fillimisht dhjetëra doza kokaine dhe para cash, të ardhura nga trafiku i drogës, informon media italiane.
Nga kontrollet e mëpasshme të shtëpive u gjetën afërsisht 2 kilogramë kokainë, pjesa më e madhe e së cilës ende nuk ishte ndarë ende në doza, telefona dhe dokumente të ndryshme që vërtetojnë aktivitetin e trafikut të drogës.
Më parë ishte kapur një tjetër shqiptar, të cilit iu zbuluan mbi 50 doza kokaine dhe para cash. Operacioni në këtë rajon është koduar “Granturismo 2023 ”, i cili ka nisur që qershorin e kaluar dhe ka 10 të arrestuar deri tani.
Komente

