Varese- Një shqiptar i dyshuar për trafik droge u përpoq t’i shpëtonte ndjekjes policore në Varese tre ditë më parë, duke ngritur në ajër edhe një nga agjentët e policisë në operacion, teksa e përplasi me makinën e tij.
Aksioni në lagjen Bustecche çoi më në fund 20-vjeçarin në pranga, kurse efektivi po trajtohet në spitalin Circolo dhe ka fraktura të shumta në trup, por pa rrezik jete.
I riu u arrestua me dyshimin se ishte pjesë e një rrjeti droge, i lidhur me trafikun e kokainës, teksa po vijojnë edhe hetimet për dinamikën e ngjarjes.
Kur e kuptoi se po e gjurmonin, shqiptari tentoi një arratisje të dëshpëruar, duke shtypur pedalin e gazit dhe përplasur oficerin në detyrë, informon media.
I riu shqiptar u dërgua në burgun e Miognit pas arrestimit, me urdhër të prokurorit publik. “Piazza Repubblica” në këtë zonë është shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të pranisë së tregtarëve të vegjël të hashashit dhe marihuanës, por së fundmi edhe kokainës.