Një set rekord, 66 - 64, një orë e 29 minuta lojë. Ky është seti më i gjatë në historinë e volejbollit, një rekord i vendosur në ndeshjen miqësore mes Italisë dhe Gjermanisë në Reggio Calabria, zhvilluar të mërkurën. Setin e fituan gjermanët, por më pas u mposhtën nga Italia me rezultatin 3-2. Rekordi i mëparshëm ishte 50-48, i vendosur në ndeshjen mes Argjentinës dhe Polonisë më 28 qershor 2026.

Për sa i përket formacionit, trajneri i Italisë, De Giorgi, hodhi në fushë Sbertolin si pasues, Rychlickin si diagonale, Lavia dhe Bottolon si pritës, Matin dhe Sanguinettin si qendërsulmues, ndërsa Laurenzano ishte libero. Të gjithë lojtarët e tjerë të grumbulluar u aktivizuan, me përjashtim të Michielettos.

Rekord ishte edhe numri i spektatorëve, më shumë se 4.400 tifozë, ndërsa ndeshja zgjati mbi 3 orë.

SETI REKORD - Italia e nis mirë setin e parë, duke marrë menjëherë avantazhin 3-0, ndërsa me Bottolon shkon në +5, 12-7. Më pas Gjermania reagon dhe barazon në 18-18.

Italianët anulojnë dy mundësi për mbylljen e setit dhe barazojnë shifrat në 24-24. Prej këtij momenti nis një betejë e jashtëzakonshme: 34-34, 38-38, 45-45, 57-57, deri në pikën e fitores, të cilën gjermanët e shfrytëzojnë për të fituar setin historik 66-64. Në fund, Italia triumfon në tie-break, duke fituar ndeshjen 3-2 (64-66, 25-22, 23-25, 25-22, 15-12).