ITALI - Katër hajdutë "akrobatë", 3 prej të cilëve shqiptarë, janë arrestuar në Trento për 30 vjedhje, të cilat janë vlerësuar nga policia italiane me vlerën e 400 mijë eurove. Ndërkohë, 4 banditë të tjerë të lidhur me to, janë ende në kërkim.

Mediat e vendit fqinj shkruajnë se katër hajdutët e arrestuar kishin si bazë logjistike një apartament të marrë me qira në brendësi të Milanos nga një 22-vjecare rumune, Cristina Daganel dhe i dashuri i saj Bardhok Rica, 20 vjeç. Ky i fundit është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar, teksa grabiti 40 mijë euro mallra në një vilë luksoze në Bolzano.

Në pak më shumë se 4 muaj, hetuesit e policisë së Bolzanos dhe Milanos kanë arrestuar edhe 2 hajdutët e tjerë shqiptarë; Klaudio Çoba,25 vjeç, dhe Asllan Leksa, 27 vjeç, të dy banues në Bolzano.

Destinacioni i mallrave të vjedhura ende nuk dihet, por gjatë hetimeve është zbuluar se midis 30 vjedhjeve, grupi i hajdutëve shqiptarë ka realizuar 4 të tilla në Bolzano. 

Grabitësit akrobatë kishin shënjestër vetëm vilat dhe apartamentet luksoze. Ata i planifikonin vjedhjet e tyre me detaje dhe me patrullime të shumta paraprake me anë të një “Fiat Grande Punto”, manovër kjo e cila i mundësonte të kuptonin nëse shtëpisë kishin njerëz ose jo. Grabitjet realizoheshin gjithmonë në orët e vona të pasdites, duke shfrytëzuar kështu edhe errësirën.

Sikurse përshkruhet nga mediat italiane, shqiptarët ishin të aftë për t'u ngjitur nëpër tubat e gazit, madje, edhe nëpër disa kate. Më pas, ata hapnin dritaret ose dyert dhe hynin nëpër shtëpi, duke grabitur sende luksoze, çanta dhe bizhuteri.