ITALI - Ndërroi jetë pas 2 muaj e gjysmë në koma, i riu shqiptar i cili u rrëzua nga 12 metra lartësi gjatë në grabitjeje. Media lokale "Eco di Bergamo", njofton se 21-vjeçari Pjetër Tuci humbi jetën në spital, ku qëndronte prej datës 3 tetor.

Gjendja e tij ishte shumë e rëndë pasi ndodhej në koma, vetëm ditë më parë në 15 dhjetor mjekët ishin përpjekur për një operacion, i cili nuk rezultoi me sukses.

Pjetër Tuci ishte banues në Osio Sotto, por në të vërtetë ishte i deklaruar si i pastrehë. Ai nuk kishte të afërm në Itali veç një xhaxhai, Gjovalin Gjokës, 36 vjeç, i cili u arrestua të hënën së bashku me pesë bashkatdhetarë të tjerë, të akuzuar si autorët e të paktën 13 grabitjeve në krahinat e Bergamos, Lecco, Monza, Kremones dhe Lodi. Ndërkohë që gjashtë shqiptarë të tjerë janë në kërkim.

Edhe Tuci, sipas policisë ishte pjesë e bandës. Më 3 tetor, së bashku me dy bashkëpunëtorë ata u përpoqën që të hynin në katin e tretë të një banese. Tuci ishte ngjitur në hendek, ai ishte kapur pas dritares, por një pjesë e murit ishte dëmtuar, duke rrëzuar nga 12 metra lartësi edhe shtetasin shqiptar.

Bashkëpunëtorët e tij e kishin gjetur atë pa ndjenja dhe të zvarritur deri tek makina. Ata e kishin lënë 21-vjeçarin para dhomës së emergjencës së spitalit në Ponte San Pietro.

Marrë nga "Shekulli"

Redaksia online
(shqiptarja.com)