ITALI - Një ish-oficer policie, i liruar nga detyra hyri sot në selinë e Komunës së Cardano al Campo të Vareses dhe më pas qëlloi me armë kryetaren e komunës, Laura Pratin, e cila mbeti e plagosur rëndë. 

Autori është Giuseppe Pecoraro, i cili është arrestuar menjëherë pas ngjarjes. Ai ishte i armatosur me një pistoletë dhe një çifte në momentin kur ndodhi ngjarja.  Kryetarja e komunës u qëllua me armë zjarri në bark dhe kraharor dhe tashmë është dërguar në spital. I plagosur ka mbetur edhe nënkryetari i komunës, Costantino Iametti, 76 vjeç , i cili ka marrë një plumb në kokë dhe është dërguar me helikopter në spitalin e Vareses. 

Gjendja e kryetares së komunës është mjaft serioze, pasi ka pësuar dëmtime në bark dhe kraharor, ndërsa po aq serioze mbetet edhe gjendja e nënkryetarit. Mësohet se edhe agresori është dërguar në spital, pasi është plagosur gjatë rezistencës që po i bënte policisë. Mësohet se ai është banues në Busto Arsizio të Varses. Ai punonte që prej 3 vjetësh si oficer në zyrën e mbrojtes së mjedisit. 

Ai u pezullua nga puna në vitin 2005 për shkak të disa parregullsive. Pecoraro plotësonte formularët e punës edhe për disa oficerë te tjerë të cilët nuk gjendeshin në shërbim. Sipas dëshmitarëve, autori u fut në selinë e komunës dhe pasi u  shpëtoi rojeve të sigurisë, hyri në zyrën ku ndodhej kryetarja me nënkryetarin dhe hapi zjarr me pistoletë. Më pas u dëgjua të thoshte me zë të lartë: “Tani i mbylla hesapet”. 

Marrë nga Shekulli
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)