Sindi Manushi, shqiptarja e cila është kryetare e bashkisë së Pieve di Cadore në Belluno, ka dhënë një intervistë për Corriere della Sera ku ka folur për nismën e qeverisë Meloni lidhur me kufizimin e numrit të nxënësve të huaj në klasa.
Në shkollat fillore, sipas projektdekretit, nxënësit që nuk kanë shtetësi italiane dhe që nuk kanë lindur në Itali ose nuk kanë ndjekur të paktën dy vite kopsht, nuk duhet të përbëjnë më shumë se 30% të nxënësve në secilën klasë të parë.
Në ciklin e mesëm të ulët dhe të lartë, kufiri prej 30% në klasat e para zbatohet për nxënësit pa shtetësi italiane që nuk kanë përfunduar me sukses të paktën tre vite shkollore në sistemin arsimor italian.
Intervista e plotë
-Sindi Manushi, kryetare e bashkisë së Pieve di Cadore nga Partia Demokratike (PD), çfarë mendoni për nismën e qeverisë?
Sindi Manushi: Është një propozim provokues dhe pa ndonjë qëllim tjetër, që e zhvendos debatin publik nga probleme shumë më të vështira me të cilat duhet të përballet qeveria Meloni. E shoh si një përpjekje për t’u përshtatur me politikat gjithnjë e më ekstreme të Vannaçi-t dhe si një rikthim në fushatën elektorale, me Fratelli d’Italia-n në një version më të guximshëm dhe provokues. Rishpërndarja e nxënësve jo aq të huaj, sa të atyre që nuk dinë ende të lexojnë e të shkruajnë në italisht, të ashtuquajturve “të sapoardhur në Itali”, parashikohet tashmë nga një qarkore e ish-ministres Gelmini. Qëllimi është të shmanget krijimi i klasave të përbëra vetëm nga nxënës që duhet të mësojnë gjuhën ose, përkundrazi, vetëm nga italianë. Problemi është se kjo normë nuk është shoqëruar kurrë me burimet e nevojshme për ta bërë efektive. Në qytetet e mëdha mund të ndodhë që në shkollat e periferive të përqendrohen shumë nxënës që kanë ardhur së fundmi në Itali dhe që nuk e njohin gjuhën. Këta nxënës duhet të shpërndahen, por shpesh shkollat pranë zonave të banimit mungojnë ose janë të pakta dhe nuk ka burime për të siguruar mësues shtesë dhe për të përshpejtuar mësimin e italishtes. Nëse dëshiron ta bësh një normë efektive, duhet ta financosh. Përndryshe, po flasim për asgjë.
-Në një postim të fundit ju keni tërhequr vëmendjen edhe te mungesat e tjera në shkolla: edukatorë, mësues mbështetës, ndërmjetësues dhe psikologë.
Sindi Manushi: Këto janë mangësitë e vërteta me të cilat përballemi çdo ditë: mësues mbështetës, psikologë, edukatorë dhe OSS (operatorë socio-shëndetësorë), veçanërisht për nxënësit me aftësi të kufizuara. Janë profesionistë që tashmë është e vështirë të gjenden edhe në institucionet shëndetësore. Në këto ditët e para të shkollës kam marrë telefonata nga prindër të dëshpëruar. Një nënë më tha se djali i saj, me aftësi të rënda të kufizuara, nga 18 orë mbështetje që kishte vitin e kaluar, këtë vit ka kaluar në vetëm pesë orë. Më tha: “Duhet të lë punën dhe ta mbaj në shtëpi”.
-Por ekzistojnë edhe raste ekstreme, si ai i shkollës Pertini në Mestre, ku prania e fëmijëve me prejardhje migratore është shumë e lartë dhe njohja e gjuhës italiane mund të përbëjë problem. Si mund të ndërhyhet?
Sindi Manushi: Duhen para, jo fjalë: qarkorja e Gelmini-t për shpërndarjen e nxënësve që nuk dinë ende italisht ekziston tashmë, por nuk është zbatuar kurrë realisht. Në Mestre, për të rishpërndarë një pjesë të nxënësve, do të duhej të garantohej edhe transporti publik për fëmijët dhe familjet e tyre. Dhe pastaj, kush garanton mësuesit shtesë në klasat e përziera? Politikat e integrimit nuk mund të realizohen pa kosto.
-Ju keni ardhur në Itali nga Shqipëria kur ishit fëmijë. Çfarë kujtoni nga përshtatja juaj në shkollë?
Sindi Manushi: Kam ardhur në klasën e katërt fillore, e mësova italishten për një kohë shumë të shkurtër dhe ju siguroj se nuk jam një nxënëse e talentuar mbi normalen. Vitin pasues, në klasën e pestë, mësueset më caktuan përkrah një djali nga zona e Cadore-s, për ta ndihmuar të përgatiste punimin e tij përfundimtar.
-A ju ishte caktuar një mësues për t’ju ndihmuar?
Sindi Manushi: Jo. Një vajzë tjetër, bashkëmoshatare imja nga Maqedonia, kishte nevojë për një mësues që ta ndihmonte. Edhe ajo më pas e mësoi gjuhën dhe ndoqi rrugëtimin e saj shkollor.
-Megjithatë, ka nga ata që thonë se vështirësitë gjuhësore të disa nxënësve mund të ngadalësojnë pjesën tjetër të klasës.
Sindi Manushi: Të gjitha klasat ecin me ritme të ndryshme, me ose pa nxënës që duhet të mësojnë gjuhën. Ka nxënës të shkëlqyer, ata që janë në nivel mesatar, ata që kanë vështirësi në të nxënë dhe ata që nuk kanë dëshirë të studiojnë. Këto janë klasat normale./Corriere









Komente
Komento