KOZENCA-  Këngëtarja lirike e viteve ’80 Liliana Kondakçi përfundon dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg në Itali për akuzën e transportimit të drogës dhe rikthehet në Shqipëri

“La Gazzeta del sud” në Itali publikoi sot lajmin se këngëtarja e dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg për transportim të lëndës narkotike është liruar nga prangat pasi përfundoi dënimin dhe u riatdhesua në Shqipëri.

Kolegë të ngushtë të këngëtares konfirmuan për Shqiptarja.com dhe Tv A1 Report se Kondakçi se gjatë gjithë këtyre muajve ka qenë në burg dhe nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.

Kondakçi nisi problemet me drejtësinë italiane në verën e vitit 2006, kur u ndalua në stacionin hekurudhor Sibarit teksa transportonte tre kile kokainë. Në mediat italiane, përdorej emrin i koduar “mamaja”, pasi kështu thirrej nga trafikantët. Ajo dyshohej se ishte pjesë e një trafiku droge të përbërë nga 20 anëtarë.

Në 2010 ajo u arrestua në Selanik dhe më pas gjykata kishte vendosur ekstradimin e saj drejt Italisë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga gjykatësi i Catanzaro-s, Vincenzo Antonio Lombardo dhe prokurori i Anti-mafias, Vincenzo Luberto.

Vetë Kondakçi gjithmonë e ka mohuar implikimin e saj në trafikun ndërkombëtar të drogave. Në 2010 “La Gazzetta del Sud” duke cituar prokurorin e Anti-mafias, Lumberto, shkruante se Kondakçi ishte pjesëtare në organizatën kriminale që drejtohej nga një prej padrinove më të rrezikshëm të narko-trafikantëve shqiptarë, Fisnik Smalaj, kapo i “karteleve” të Shkodrës.

Në 2008 agjencia e lajmeve ANSA shkruante se nga përgjimet telefonike Liljana Kondakci, ishtë njohur mes anëtarëve të grupit si “la mama” shqip “mamaja” ose “këngëtarja”. Duke iu referuar burimeve hetimore mësohej se këngëtarja shqiptare ka përdorur popullaritetin e saj për t’u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri dhe për të transportuar drogën.

ANETARET E BANDES

Anëtarët e bandës, sipas ANSA ishin
Bashkim Kubazecaj – 32 vjec, i lindur në Shkodër dhe banues në Villapiana – me pseudonimin “flokegjati”
Luan Kubazecaj – 35 vjec, banues në Trebisace, me pseudonimin “ai i Las Vegasit”. Albert Mesiti – 28 vjec, me pseodonimin “Marko”.
Elvis Metvelaj – 24 vjec, banues në Trebisace, me pseodonimin “majmuni”,
Rodon Rexhepi – 28 vjec,
Fisnik Smajlaj – 35 vjec, me pseodonimin “tullaci” i dyshuar si kreu i organizataës
Sajmir Ujkaj – 33 vjec,
Gential Ulqini – 25 vjec – banues në Trebisaçe, me pseodonimin “Astriti”
Gentian Hamzaraj – 30 vjec.

(sg/shqiptarja.com)