ROME, 24 qershor /ATSH-ANSA/ - Ministrja e Jashtme italiane, Federica Mogherini mori me kënaqësi të madhe lajmin e dhënies së statusit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, vendosur sot në unanimitet nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të unionit, thuhet në komunikatën e rastit të Ministrisë së Jashtme italiane. "Ky vendim, që duhet të ratifikohet në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, kurorëzon përpjekjet dhe vendosmërinë e treguar nga Shqipëria si edhe rezultatet e arritura prej saj", thekson ministrja. "Kjo është një etapë historike në perspektivën e integrimit evropian jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor", shtoi ajo. "Italia ka mbështetur gjithmonë dhe me vendosmëri rrugën evropiane të Tiranës dhe do të vazhdojë ta nxisë për reformat e duhura për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian", përfundon ministrja e Jashtme italiane, Federica Mogherini./ a.jor.