Ankona- Prej një muaji kishte shkuar në Itali dhe menjëherë u përfshi në biznesin ilegal të shitjes së lëndëve narkotike, kryesisht kokainë.
Një 29-vjeçar shqiptar i identidikuar si Afrim Ibra, u arrestua mbrëmë (11 Shtator) nga skuadrat e karabinierëve të Tolentino-s në Ankona, teksa për të kryer aktivitetin e tij kishte marrë dhe një makinë me qira, me qëllim që të dërgonte mallin tek përdoruesit.
Operacioni u finalizua rreth orës 23:00, teksa karabinierët vunë re lëvizjet e çuditshme dhe nervozizmin e të riut. Teksa iu afruan, pikasën se ai shtyu poshtë sediles me këmbë dy qese ambalazhi me celofan. Në to kishte mbishkrime 100 dhe 53. Nga kontrolli u gjetën katër pako me nga 25 doza kokainë secila, shkruan “Ilrestodelcarlino”.
Nga peshimi rezultoi se secila prej dozave kishte diçka më shumë se gjysmë grami drogë, pra në total u sekuestruan 55 gramë. Ndërhyrja e policisë u bë pranë një karburanti të zonës, ku i dyshuari kishte qëndruar dhe dukej se po priste blerësin e radhës.
Nga kontrolli fizik shqiptarit, iu gjetën edhe 1660 euro cash, në prerje të ndryshme, që dyshohen si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Shqiptari u arrestua në flagrancë dhe izolua në paraburgimin e Montacuto, në pritje të seancës gjyqësore për masë sigurie.