Partia Demokratike organizoi disa takime me emigrantët shqiptarë në Puglia të Italisë. Në këto takime u diskutua që emigrantët të jenë më aktivë në zgjedhjet e 23 qershorit. Diskutimi u përqëndrua në dy drejtime kryesore.

Në drejtimin e parë u diskutua që emigrantët të ndikonin sa më shumë te njerëzit e tyre në Shqipëri për të votuar Partinë Demokratike. Kurse çështja e dytë kishte të bënte me votën e emigrantëve për të votuar në Shqipëri.

Gjithashtu, në takimin e organizuar nga PD u tha se një arsye më shumë për të votuar qeverinë Berisha është fakti që Rama refuzoi propozimin e kryeministrit për të krijuar mundësinë e votimit të emigrantëve.

Sipas deputetit të PD-së, Tritan Shehu, kjo do të jetë votë për Berishën për ta mbështetur për arritjet e qeverisë vitet e fundit dhe të ndëshkojnë z. Rama për bllokimin që i bën vendit për marrjen e statusit kandidat.

Gjithashtu struktura të Partisë Demokratike u krijuan në zonat e Barit, Brindizit dhe Leçes.

(v.gj/shqiptarja.com)