Itali- Po trafikonin 1 kg kokainë me një çantë firmato dhe logo “Youtube“, arrestohen 2 shqiptarët e dyshuar.
Operacioni u krye në Rimini, teksa grupi i dyshuar mbahej nën vëzhgim prej 17 nëntorit. Të ndaluarit janë 24 dhe 32 vjeç, që aktualisht ndodhen në paraburgim.
Hetimi u ngrit nga raportimet në lidhje me një tregtar të ri droge aktiv në zonën e Viale Rimembranze. 32-vjeçari, i cili zakonisht përdor një skuter, është parë duke bërë një dërgesë të dyshimtë.
Karabinierët ndoqën momentin kur 32-vjeçari i kaloi 24-vjeçarit një çantë të një marke të njohur veshjesh, ku kishte një mbështjellës celofani me logon e Youtube-it. Brenda kishte mbi një kilogram kokainë të pastër, me vlerë tregu rreth 50 mijë euro. Më tej, 32-vjeçarit iu gjetën edhe 6 doza kokainë, shkruan media italiane.
Pas shkëmbimit, 24-vjeçari u ndalua teksa iu afrua makinës së tij, brenda së cilës nuk u gjet më drogë. Të dy u arrestuan për trafik droge dhe gjatë marrjes në pyetje zgjodhën të mos përgjigjeshin.