ITALI - Sekuestrohen 900 kg marijuanë në Katania të Italisë, ndërsa janë arrestuar dy shtetas shqiptarë që shërbenin si korrierë të drogës.

Operacioni i policisë italaine është organizuar nga skuadra lëvizëse e Raguses dhe Guardia di Finanza e Katanias dhe Komos, të cilat kanë bërë sekuestrimin e sasisë së lëndës narkotike prej 900 kg marijuanë, e cila kishte një vlerë në treg rreth 1 mln euro.

Gjatë këtij operacioni blic të policisë italiane janë arrestuar dy shtetas shqiptar, të cilët janë Hysni Hoxha, 30 vjeç me precedentë penalë për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje dhe Ermal Kasaj, i padënuar më parë, 26 vjeç.

Dy shqiptarët janë arrestuar falë edhe informacioneve të mbërritura nga organet e policisë së huaj në bordin e një furgoni, i cili është ndaluar në kohën kur po futej në një garazh në Katania.

Droga ndodhej në furgon, e ndarë në disa çanta ndërsa në garazh është zbuluar tjetër sasi marijuane, por edhe armë, 2 pistoleta, një kallashnikov dhe municione.

Redaksia Online
(a.k/Gre.M/Shqiptarja.com)