MILANO - Tre shqiptarë janë vënë në pranga pasi duke i mbajtur peng fëmijën 3 vjeç, kishin detyruar një rumune 23-vjeçare të dilte në rrugë dhe të prostituohej, bashkë me një patrioten e saj 26-vjeçare.
 
Arrestimet e shqiptarëve janë bërë gjatë ditës së sotme në Milano dhe janë të moshave, 33, 34 dhe 38 vjeç.
 
Aksioni për prangosjen e shqiptarëve është bërë kur njëra prej tyre, rumunja 26-vjeçare ka marrë në telefon në Kuesturën e Milanos dhe ka treguar gjithë ngjarjen. Ajo u ka thënë karabinierëve se, shoqes së saj i mbahej peng fëmija që ajo të dilte e të prostituonte në rrugë.
 
Ajo kishte treguar për policinë se, përballë hotelit ku ishte me një klient ndodheshin dhe dy shqiptarë, të cilët e shfrytëzonin për prostitucion, ndërsa ajo donte të kthehej në Rumani.
 
Agjentët e policisë kanë vënë në pranga dy shqiptarët ndërsa të tretin e kanë arrestuar në banesën e 23-vjeçares ku ishte edhe fëmija. Media italiane nuk bën të ditur identitetin e të arrestuarve.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)