Itali, pranga gruas që do
zëvendësonte Toto Riinën

Itali, pranga gruas që do<br />zëvendësonte Toto Riinën<br>
Me vdekjen e bosit të bosëve, kumbarët e vjetër të Palermos kishin vendosur të mbështeteshin tek ajo, Mariangela Di Trapani. “Sillet si të ishte burrë”, shpreheshin ata të kënaqur.

Bashkëshortja e bosit Salvino Madonia, i cili ndodhet në burg për të shlyer një seri dënimesh të përjetshme, kishte marrë një detyrë specifike: të riorganizonte Cosa Nostran.

Dhe madje kishte nisur menjëherë punën sapo kishte dalë vetë nga qelia, shtatorin e dy viteve më parë. Të gjithë e thërrisnin “padronia” dhe fjala e saj ishte ligj.

“Kështu ka thënë padronia”, ose “padronia do që gjërat të bëhen kështu”, janë disa nga fjalët e dëgjuara në përgjimet e karabinierëve të Palermos.

Personalisht, Di Trapani komandonte në zonën e Rezutanës, një bastion historik i Cosa Nostras, dhe kishte afërsi me ato që njihen si “ambientet e mira” në kryeqendrën siçiliane, ose jakat e bardha.

Por, sipërmarrja e “padrones” duket se nuk ka zgjatur shumë, pasi gjatë orëve të natës, ajo është arrestuar së bashku me grupin e saj prej 24 personash.

Hetimet e Drejtorisë Rajonale të Antimafias kanë vërtetuar se gruaja detyronte bizneset në qendër të Palermos të paguanin “haraçin”, pavarësisht denoncimeve të shumta të pronarëve.

Sipas prokurorit që drejtoi hetimet, Francesco Lo Voi, nga pagesa nuk kursehej askush, që nga pronarët e dyqaneve, deri tek ata të restoranteve dhe ata të kompanive që merreshin me restaurimin e ndërtesave.

Dhe kush provonte të rebelohej bëhej pre e sulmeve. Fillimisht paralajmërohej me ngjitës tek bravat e dyqaneve dhe nëse qëndresa vazhdonte, atëherë kalohej tek zjarrvënia.

Gjithashtu, hetimet kanë treguar sesi Cosa Nostra e sotme do t’i rikthehej dhunës, një praktikë kjo paksa e anashkaluar në 20 vitet e fundit, për të mos tërhequr vëmendjen e autoriteteve.

Krerët e klanit, me në krye “padronen” kishin vendosur të vrisnin një mafioz të vjetër, Giovanni Niosi, i cili kishte bashkëpunuar me drejtësinë për të përfituar shkurtimin e dënimit. 

G.F. / Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Pazari i radhës Rama-Berisha, për të mbajtur sistemin gjallë

Pazari i radhës Rama-Berisha, për të mbajtur sistemin gjallë