Një 25-vjeçar, që sipas mediave italiane dyshohet se është shqiptar, mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele pranë Torinos, pasi dyshohet se kishte hyrë së bashku me të paktën pesë persona të tjerë në pronën e një italiani për të vjedhur. Pronari i banesës hapi zjarr ndaj grupit, duke e qëlluar për vdekje të riun, ndërsa personat e tjerë u larguan.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 në Baldissero d'Alba, një qytezë në provincën e Cuneos. Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve, 35-vjeçari ndodhej i vetëm në banesën e tij, e cila është në rikonstruksion, kur dëgjoi zhurma që vinin nga oborri.
I dyshuar se u përball me një grup prej të paktën pesë personash, ai mori pistoletën gjysmëautomatike që e mbante me leje dhe qëlloi disa herë në drejtim të tyre. Njëri prej plumbave goditi për vdekje 25-vjeçarin, ndërsa të tjerët arritën të largoheshin.
Menjëherë pas ngjarjes ishte vetë pronari ai që telefonoi karabinierët dhe kërkoi ndihmë. Në vendngjarje mbërritën edhe ekipet e emergjencës, por për të riun nuk mund të bëhej më asgjë.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, viktima është një 25-vjeçar me origjinë nga Europa Lindore, që dyshohet të jetë shqiptar dhe banonte në provincën e Torinos.
Sipas hetimeve paraprake, objektivi i grabitësve mund të kenë qenë materialet e ndërtimit që ndodheshin në oborrin e banesës, e cila nuk kishte gardh apo portë.
Arma e përdorur nga 35-vjeçari rezulton të jetë e regjistruar ligjërisht. Prokuroria italiane ka nisur hetimet ndaj tij për veprën penale të vrasjes, ndërsa po verifikohen të gjitha rrethanat e ngjarjes









Komente
Komento