Një punëtor 40-vjeçar në Itali ka fituar plot 2 milionë euro me një biletë gërvishtëse, por pavarësisht shumës marramendëse ka vendosur të vazhdojë jetën si zakonisht. Lajmi i papritur e emocionoi aq shumë, sa iu desh të mbahej te banaku i lokalit që të mos rrëzohej.
Ngjarja ndodhi në Bar Patagonia, në zonën San Giuseppe të qytetit të Vicenzës, ku burri nga Cassola kishte ndaluar si çdo mëngjes për një kafe ekspres, një briosh dhe një biletë të lojës “50X”.
Fillimisht, ai mendoi se kishte fituar 10 mijë euro dhe i kërkoi pronarit të lokalit, Ivan Zangrando, të kontrollonte biletën. Por, pasi verifikuan numrat dhe çmimet, zbuluan se shuma ishte shumë më e madhe: plot 2 milionë euro, çmimi maksimal i kësaj loje.
“Fillimisht mendoi se kishte fituar 10.000 euro dhe më kërkoi ta kontrolloja. Kur pamë përsëri numrat, kuptuam se fitimi ishte dy milionë euro. Në atë moment u zbeh në fytyrë dhe iu desh të mbahej te banaku që të mos rrëzohej”, tregoi Zangrando.
Klientët e tjerë që ndodheshin në lokal e pritën lajmin me entuziazëm dhe festuan sikur ta kishin fituar vetë çmimin. Megjithatë, pasi mori veten nga emocioni, punëtori u largua me makinën e tij dhe shkoi normalisht në punë. Më vonë gjatë ditës u kthye në lokal për të pyetur se si mund ta merrte shumën e fituar.
Edhe të nesërmen, 40-vjeçari u paraqit për mëngjesin e zakonshëm, pa ndryshuar rutinën e tij. Pronari tregoi se fituesi ishte ende i tronditur nga ajo që kishte ndodhur.
“Këtë mëngjes ishte përsëri këtu dhe i shërbyem mëngjesin e zakonshëm. Ishte ende pak i çorientuar dhe na tregoi se nuk kishte arritur të flinte nga emocionet”, rrëfeu ai.
Lokali kishte regjistruar edhe më parë fitime të konsiderueshme, pasi disa vite më parë dy klientë kishin fituar 500 mijë euro me një biletë prej vetëm pesë eurosh. Megjithatë, çmimi prej 2 milionë eurosh është fitorja më e madhe e arritur aty. Për të shënuar rastin, jashtë lokalit është vendosur edhe një tabelë që njofton fitimin e madh.









Komente
Komento