Itali - Italianët kanë shprehur optimizëm se Papa do të jetë në gjendje ti japë fund korrupsionit në bankën e Vatikanit. 

“Diçka po ndryshon, ne ishim duke shpresuar për këtë dhe tani ajo po ndodh," u shpreh një qytetar i Romës. Të gjitha mediat italiane kanë komentuar sot në faqet e tyre dorëheqjen e Drejtorit dhe zëvendës drejtorit të bankës së Vatikanit.

Ky veprim i tyre vjen pas arrestimit të një kleriku të lartë italian me akuzat për korrupsionin dhe mashtrim. Paolo Cipriani dhe Massimo Tulli dhanë dorëheqjen e tyre në interesin më të mirë të institutit dhe Selisë së Shenjtë'' thuhet në një deklaratë të Vatikanit.

Tre ditë më parë u arrestua imzot Nunzio Scarano i cili në bashkëpunim me dy të tjerë dyshohen se kanë sjellë në Itali 20 milion euro në mënyrë të paligjshme. Scarano, një prift nga Italia e jugut, ka punuar për vite si një kontabilist i lartë për departamentin e Vatikanit njohur si APSA (Administrata e trashëgimisë së Apostolike).

Ai ka qenë nën hetim nga policia italiane për një sërë transaksionesh të dyshimta që përfshijnë riciklimin përmes bankës së Vatikanit e një sërë çeqesh të përshkruara si donacione të kishës. Në muajin qershor, Papa Françesku emëroi një klerik të besuar për mbikëqyrjen e menaxhimit të bankës, e cila është përfshirë në disa skandale për pastrim parash në këto dekatat e fundit.

Banka e Vatikanit, është kritikuar dekadat e fundit pasi nuk ka përmbushur standardet ndërkombëtare të transparences, për të luftuar pastrimin e parave dhe evazionin e taksave.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)