- Intervista e plotë e kryeministrit Rama dhënë gazetës italiane "Corriere della sera" - 

ROMË, 19 shkurt /ATSH/ - Një udhëtim prej pak orësh për në Milano. Fillimisht për t'iu përgjigjur pyetjeve të "Corriere della Sera"-s. Pastaj atyre të Daria Bignardit në emisionin e La7-es "Le Invasioni Barbariche".
Kryeministri shqiptar Edi Rama - 50 vjeç, ish-basketbollist (i gjatë pak më pak se dy metra), artist (apo thënë më mirë piktor), ish-kryetar i bashkisë së Tiranës (nga 2000 deri 2011) dhe lider i Partisë Socialiste - foli për gjithçka, nga kërcënimi i radikalizmit islamik deri te tensionet me Moskën dhe nga Bashkimi Evropian deri te politika italiane. Pa harruar të nënvizojë sintoninë me kryeministrin italian, Matteo Renzi.
CDS - Kryeministri Rama, Evropa po tmerrohet nga përparimi i ISIS-it. Si dilet nga kjo krizë?
Edi Rama: Kundrejt radikalizmit islamik ka disa përgjigje. Nga njëra anë duhet zhvilluar një betejë pa kompromis, nga ana tjetër duhet përforcuar Evropa pa rënë në kurthin e ndarjes, pa u mbyllur: çdo mbyllje që vjen nga frika nuk forcon qëndrimin e përbashkët ndaj këtij armiku shumë të veçantë që është si një epidemi. Ajo që u ndodh pengjeve nuk është një barbari larg nesh, ndodh në shtëpinë tonë: jemi të gjithë të kërcënuar. Përgjigjja duhet të jetë një Evropë e shpresës, jo e frikës.
CDS: Për të luftuar ISIS-in a nevojitet një ndërhyrje ushtarake?
Edi Rama: Ajo që është bërë deri tani është e drejtë dhe duhet të vazhdojë: ISIS-i kërcënon civilizimin tonë. Por, për këtë duhet të zgjidhet problemi i madh i atyre të cilët, për përfitime personale politike, kërkojnë të ndajnë dhe jo të bashkojnë, i atyre që u thonë njerëzve se problemi janë myslimanët. Kemi të bëjmë me një qasje që bën lojën e armikut tonë të përbashkët.
CDS: Evropa duhet të përballet me një tjetër krizë, atë me Rusinë...
Edi Rama: Nuk është një sfidë e lehtë pasi sot kemi se çfarë të bëjmë me një Evropë të sfidës, një projekt i papërmbushur, pa një lidership dhe pa kurajë. Një projekt i penguar përpara vështirësive të mëdha. Gjendemi përballë një Evrope taktike, e lidhur me takime elektorale, peng e interesave të veçanta. Me Rusinë u pa pikërisht mungesa e një Evrope të madhe strategjike.
CDS: Duke parë këtë Evropë, a është ende Shqipëria e interesuar për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian?
Edi Rama: Evropa është një ëndërr. Për atë që sheh përpara Shtetet e Bashkuara të Evropës janë rruga e vetme për të garantuar brezat e ardhshëm.
CDS: Si shihet Italia nga shqiptarët?
Edi Rama: Italia është përherë Itali. Nuk është ajo e 25 viteve më parë, megjithatë mbetet ende një objektiv për shumë gjëra duke filluar që nga arsimi cilësor. Vendi juaj është një realitet që na përket nga pikëpamja shpirtërore dhe kulturore.
CDS: Ka nga ata që thonë se ju rrezikoni të dëmtoni ekonominë italiane duke ofruar stimuj për kompanitë e huaja...
Edi Rama: Duhet të na shihni si pjesë e Italisë nga pikëpamja e hapësirës ekonomike. Shqipëria është vendi ideal për çdo biznesmen italian: do të gjeni te ne atë që nuk gjeni në Itali dhe kjo nuk dëmton fqinjin tonë.
CDS: Kush ka të drejtë mes kryeministrit grek Cipras dhe Bashkimit Evropian lidhur me borxhet e Athinës?
Edi Rama: Ajo që mund të them është se të dy palët duhet të diskutojnë dhe të arrijnë në një marrëveshje. Evropa duhet të reflektojë për këtë çështje për të kuptuar se ku ka gabuar dhe për të kërkuar rrugë më të mira kundër krizës.
CDS: Në Beograd kërkuat pavarësinë e Kosovës. Homologu juaj nuk e pranoi. Si janë marrëdhëniet mes dy vendeve?
Edi Rama: Janë shumë të mira. Nëse vendet ballkanike nuk kuptojnë se është më mirë të bashkuar sesa të ndarë nuk do të bëjnë kurrë përpara dhe do të jenë gjithmonë të dobët përballë Brukselit.
CDS: Më mirë posti i kryeministrit apo i kryetarit të bashkisë?
Edi Rama: Të jesh kryetar bashkie është një fillim i mirë për të qenë më pas kryeministër. Sigurisht, mund të rezultojë më e lehtë të bësh kryeministrin nëse nuk ke bërë kryetarin e bashkisë: nëse më parë ke qenë kryetar bashkie nuk të lejohet të bësh vetëm politikë dhe asgjë për qytetarët.
CDS: Ju jeni shumë aktiv në rrjetet sociale dhe po kështu edhe ministrat tuaj...
Edi Rama: Kjo është një qeveri e re: rrjetet sociale janë hapësira natyrale ku duhet të lëvizim. Nuk humbet kohë me rrjetet sociale, përkundrazi, kursen, pasi thua gjithçka dhe shpejt.
CDS: Me opozitën ka kontradikta prej muajsh. Kur do të bëni paqe?
Edi Rama: Në këtë gjë jemi të njëjtë me Italinë: edhe këtu bëhet një jetë politike luftarake. Te ju janë edhe humoristët që bëjnë luftë në skenën politike, në Shqipëri të paktën humoristët bëjnë humoristët.
CDS: Më duket se kuptova që nuk ju pëlqen Beppe Grillo...
Edi Rama: Humoristët janë të domosdoshëm për të tallur qeverinë, por të votosh për humoristët për të qeverisur është të tallesh me vetë ata.
CDS: Për Matteo Renzin çfarë mendoni?
Edi Rama: Përfaqëson shpresën e një Italie që më në fund është një vend që flet për të rinjtë dhe që arrin të rilindë./ a.jor.