Prej ditësh ishte në ekuilibër në buzë të humnerës, ndërsa sot u shemb, ashtu siç ishte parashikuar. Bëhet fjalë për pallatin trekatësh, i filmuar shumë herë pas rrëshqitjes së dheut të 25 janarit.

Në këtë shembje të radhës kontribuoi edhe shiu i dendur i sotëm që ra në qytet duke shkaktuar përmbytje të shumta.

“Kurrë nuk kemi parë kaq shumë ujë në Niscemi”, thonë banorët vendas.

Shiu për këtë zonë është kthyer tani në një kërcënim, sepse uji dobëson tokën prej rëre dhe argjile dhe mund të përshpejtojë procesin e erozionit të rrëshqitjes së tokës, e cila sipas gjeologëve po shkon drejt qendrës së qytetit.

“Rrëshqitja e dheut është në lëvizje dhe pjerrësia e tokës mund të ndryshojë, sipas vlerësimeve të para, edhe me 15 ose 20 gradë të tjera në sipërfaqe, çka do të thotë humbja e rreth tridhjetë metrave të qytetit”, është parashikimi i Nicola Casagli, profesor në Universitetin e Firences dhe ekspert i rrëshqitjeve të dheut, i cili këtu po studion zhvillimin e fenomenit për Mbrojtjen Civile.

Prej ditësh, qyteti i provincës së Caltanissettës është pezull mbi një shpat prej rëre dhe argjile që vazhdon të copëtohet. Pallati, që ndodhej në lagjen Sante Croci, ngrihej vetëm pak metra larg imazhit simbol të katastrofës: një makinë e varur mbi greminë, e fotografuar në orët e para të emergjencës.

Në Niscemi ka 48 orë që bie shi pa ndërprerje. Ndërtesa të tjera ngjitur me atë që u shemb janë në ekuilibër mbi shpat dhe duken të çara. Nga lart duken brenda banesave copa dhomash, mobilje, pajisje shtëpiake; në disa raste vërehen fotografi të varura në mure të familjeve me fëmijë. Shtëpitë po shpërbëhen ngadalë, deri në shembjen përfundimtare, si në rastin e këtij pallati trekatësh.

Shiu po përshpejton procesin e shpërbërjes së frontit të rrëshqitjes. Në gjendjen aktuale, uji – siç ka shpjeguar në një intervistë për Corriere inxhinieri Leonardo Santoro, sekretar i përgjithshëm i Autoritetit të Pellgut të Sicilisë – derdhet “drejtpërdrejt mbi ‘plagën e hapur’ të shpatit, duke vazhduar të depërtojë në tokë dhe duke përshpejtuar shpërbërjen e frontit”.

“Një fenomen”, paralajmëron ai, “që mund të shkaktojë tërheqjen progresive të rrëshqitjes drejt pjesës së sipërme deri në 30 metra, duke vënë në rrezik shtëpi të reja”.

Për ta shmangur këtë, do të nevojitej një ndërhyrje emergjente: “Një kanalizim prej katër kilometrash, i aftë të kapë ujin që zbret dhe ta devijojë anash drejt kanaleve natyrore, duke shmangur që ai të kalojë përmes trupit të paqëndrueshëm të rrëshqitjes”, shpjegon inxhinieri./La Repubblica