Itali - Mbi 160 kilogramë kokainë janë sekuestruar në provincën e Bergamos gjatë një operacioni të Guardia di Finanza, ndërsa dy persona me origjinë shqiptare janë arrestuar dhe dërguar në burg, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Operacioni u zhvillua në kuadër të një kontrolli të koordinuar nga repartet e Guardia di Finanza që veprojnë në Distriktin e Gjykatës së Apelit të Brescias. Sasia e drogës u zbulua pas ndalimit të një automjeti të rëndë tip TIR në një zonë industriale të Bergamos.

Sipas autoriteteve, pas shërbimeve të vëzhgimit dhe kontrollit në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, të konsideruara me interes të lartë hetimor, efektivët konstatuan lëvizje të dyshimta të automjetit të rëndë.

Drejtuesi i TIR-it hyri në rimorkio dhe priti mbërritjen e një automjeti të dytë, të cilit iu dorëzuan shtatë çanta të mëdha. Menjëherë pas kësaj, forcat e Guardia di Finanza ndërhynë duke bllokuar mjetet dhe personat e përfshirë.

Gjatë kontrollit, u sekuestruan 150 pako me kokainë, me një peshë totale mbi 160 kilogramë. Sipas vlerësimeve, lënda narkotike do të sillte fitime rreth 20 milionë euro në tregun e paligjshëm.