Itali: Shmanget pengmarrja,
pranga tre shqiptarëve

Itali: Shmanget pengmarrja, <br />pranga tre shqiptarëve
VENEZIA – Policia italiane ka arrestuar tre shtetas shqiptarë të cilët po tentonin të merrnin peng vajzën e një biznesmeni italian. Fatmirësisht gjithçka ka mbetur në tentativë pasi Policia e Venezia-s arriti të bllokonte automjetin në të cilin udhëtonin tre shqiptarët me kapuç në kokë. Në makinë, pas kontrollit të kryer, u gjet edhe një pistoletë gjysëm automatike dhe lidhëse plastike për të lidhur kyçet e krave.

Tre shqiptarët e arrestuar janë Eduart Arapi, 32 vjeç, i arratisur në shtator nga një burg spanjoll ku ishte dënuar për vjedhje, Eduard Lufi, 25 vjeç dhe kushëriri i tij Ledjan Lugia, 23 vjeç.

Përveç tre shqiptarëve, janë arrestuar edhe dy shtetat italianë, pjesë të njëjtit grup. Ata janë Corrado Di Giovanni, 50 vjeç dhe Massimo Di Giovanni, 31 vjeç, edhe këta kushërinj. Sipas burimeve policore, viktima e bandës, e specializuar në grabitjet e vilave të biznesmenëve, ishte e bija e një pronari firme të zonës.

Grupi në fjalë dyshohet se është autor edhe i vjedhjevs në një vilë më 16 shkurt në Pramaggiore (Venezia) në dëm të Graziano Zucchetto, i cili mbeti edhe i plagosur nga një plumb pistolete të qëlluar nga grabitësit.

Dy sulme të ngjashme atë në Pramaggiore dështuan pasi policia kishte vendosur nën mbrojtje viktimat e planifikuara të grupit italo-shqipar.

Hetimet e policisë italiane kishin nisur pas grabitjes në Pramaggiore. Policia kishte dalluar një bandë shqiptarësh që lëvizte në zonën lindore të rajonit Veneto dhe kishte kontakte me kushërinjtë Di Giovanni. Nga këta të fundit, Corrado ishte ai që mbante lidhje me biznesmenët e sektorit të drurit pasi merrej me bojën e mobiljeve dhe kishte një numër të madh klientësh. Duke përfituar nga puna e tij, Corrado Di Giovanni vizitonte shumë fabrika dhe banesa të biznesmenëve, pikaste vendet që i interesonin si kasafortat dhe më pas i referonte gjithçka krahut të grupit, tre shqiptarëve.

Viktimat e preferuara ishin biznesmenë të pasur, me vila të ndryshme në pronësi dhe makina luksoze si Ferrari, Maserati dhe Porsche.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Olivier Giroud largohet nga Milani, do jetë ylli i ri i MLS

Olivier Giroud largohet nga Milani, do jetë ylli i ri i MLS