Shqiptari i quajtur Lekë Luca i arratisur këtë të hënë datë 24 qershor nga burgu 'Pietro Cerulli' në Siçili mësohet të jetë arrestuar ditën e djeshme.
Pas dy ditësh në kërkim, policia italiane ka mundur të bëjë arrestimin e 32 vjeçarit.
Ky veprim nuk ishte i pari për të burgosurin, pasi në vitin 2017 ai u arratis bashkë më një shqiptar tjetër dhe sërish u kap nga forcat policore italiane.
Mediat e huaja raportojnë, se këtë herë vetëm 48 orë pas evazionit, Luca u pa në këmbë përgjatë hekurudhës që lidh Trapanin me Palermon dhe u kap menjëherë pas një ndjekjeje të shkurtër pasi ai u mundua të largohej.
Për disa ditë ai kishte qëndruar i fshehur në zonat pyjore mes qytezave Dettilo e Paceco.
Lekë Luca është dënuar deri në vitin 2022 nga drejtësia italiane me akuzën e trafikut të drogës.
Ndërkaq, autoritetet italiane po hetojnë nëse në arratisjen e tij kanë ndihmuar dhe bashkëpunëtorë të tjerë.