ITALI - Mediat italiane kanë konfirmuar rikthimin e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni në skenën politike. Berluskoni u tha gazetarëve në Milano se ai do të rikandidojë për Kryeministër vitin e ardhshëm dhe se Partia e Popullit të Lirë nuk kishte gjetur një udhëheqës si ai.

Gjithashtu Berluskoni deklaroi se politikat shtrënguese të qeverisë teknike të Mario Montit kishin dëmtuar Italinë. Berluskoni u shpreh se data 10 mars 2013 është e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Berluskoni dha dorëheqjen si kryeministër në nëntor 2011, ku dominoi skenën politike të Italisë për dy dekada. Ai e la vendin në një kaos financiar dhe një trashëgimi personale të njollosur nga skandalet seksuale dhe korruptive.

Ndërkohë qeveria teknike e Kryeministrit Mario Monti është në krizë, pas largimit të papritur të Partisë Populli i Lirisë. Edhe pse mori të enjten votëbesimit në Senat me 127 vota pro, 17 kundër dhe 23 abstenim, sërish qeveria e Kryeministrit Monti rrezikon të çojë Italinë në zgjedhje të parakohshme.

Presidenti italian Giorgio Napolitano ka deklaruar se qeveria nuk duhet të bjerë dhe bëri thirrje për bashkëpunim të partive në mënyrë që të kalohej kjo situatë. Kështu pasardhësit të Kryeministrit Mario Monti do t’i duhet të përballet me problemet e mprehta ekonomike që ka përshkuar Italinë.

Redaksia online
(eç/lç/shqiptarja.com)