Itali- Shpërndarësit e drogës vënë në punë inteligjencën për të gjetur taktika dhe strategji nga më të ndryshmet që as të mos diktohen nga policia dhe as të mos kapen.
Ide nga më të çmendurat për fshehjen e lëndës narkotike, nga të brendshmet dhe deri tek ajo më e fundit, brenda zileve të biçikletave.
Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët në Parma për posedim për qëllime shitje kokaine.
Aksioni u krye në zonën e ‘Via Dei Mille’, kur karabinierët hasën të riun që po qarkullonte me biçikletë dhe papritur kur dalloi efektivët tentoi të kthehej pas, që t’i shpëtonte kontrollit.
Në momentin që u ndalua për kontroll, ai nisi të shfaqte nervozizëm dhe të dridhej. Kjo rriti dyshimet te karabinierët se diçka të paligjshme mbante me vete.
Në një xhep xhakete kishte 3 mbështjellës celofani me drogën. Policia ka vënë re gjithashtu se zilja e biçikletës nuk ka bërë asnjë zë kur është aktivizuar, informon media italiane.
Kishte diçka anormale në mekanizëm. Dhe në fund brenda saj kishte 6 mbështjellje të tjera kokaine. Gjithashtu edhe një shumë e konsuderueshme në euro, që u sekuestruan si prova. Në një proces të shpejtë dhe me gjykim të shkurtuar, 20-vjeçari u dënua me 1 vit burgim, që iu konvertua me kusht.