Efektivët e policisë së kryeqytetit italian, sapo kanë hapur derën e një prej apartamenteve të ndërtesës kanë mbetur të mahnitur kur kanë parë luksin e ekzagjeruar të një prej familjeve që “diktojnë ligj” në zonat periferike.
Ato çfarë kanë rënë në sy kanë qenë dorezat e dyerve, rubinetët dhe kornizat e fotografive e mobiljeve, të gjitha të lara në ar. Operacioni i policisë është kryer në lagjen “Tor Bella Monaca”, ku agjentët kanë bastisur disa banesa me qëllim sekuestrimin e tyre.
Dhe, pak metra larg shtëpisë së sipërpërmendur ata kanë gjetur një tjetër apartament të mobiluar me të njëjtin stil. Në ar ishin larë bordet e një vaske hidro-masazhi, një kasafortë, një televizor me ekran gjigant dhe mobilje me vlerë.
Pasi janë konfiskuar, apartamentet në fjalë kanë kaluar nën administrimin e shtetit dhe strukturat e posaçme kanë thirrur familje të pastreha që janë në listë për të përfituar shtëpi, veprim ky që është kontestuar nga banorët “autoktonë”.
G.F. / Shqiptarja.com