Itali - Senatori Italian Umberto Bossi ka sfiduar në mënyre të hapur Roberto Maroni-n për postin e sekretarit të Ligës së Veriut. Pas disa ditësh përplasjesh të ashpra mes Bossit dhe Maronit, senatori italian ka deklaruar se është gati të rikandidojë. 

Në një intervistë për gazetën italiane Repubblica, Bossi deklaron se jam i vendosur të luftoj deri në momentin e fundit kundër Maroni-t duke e akuzuar se po dëmton imazhin e partisë. Lideri i përhershëm i partisë Liga e Veriut, Umberto Bossi dha dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm të saj në prill 2012. 

Dorëheqja e tij erdhi pasi u akuzua për mashtrime që i kanë shkaktuar shtetit dëme të mëdha, riciklim parash dhe pasuri të paligjshme ku paratë e taksapaguesve që kanë shkuar për arkën e Ligës së Veriut janë përdorur nga Bossi dhe familja e tij.

Bossi, që njihet si kritik i ashpër ndaj korrupsionit në jetën publike, ka mohuar gjithmonë të ketë kryer ndonjë shkelje. Dorëheqja e tij i hapi rrugën për marrjen e drejtimit të partisë nga ish-ministri i brendshëm Roberto Maroni, i cili konsiderohej si rivali kryesor i Bossit.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)