Itali, Veliaj prezanton zhvillimin e
Tiranës në programin 'IPA Adriatic'

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, zhvilloi një vizitë dy ditore në rajonin e Abruzzos, ku mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të programit të bashkëpunimit ndërkufitar “IPA Adriatic” për periudhën 2007-2013, i mbajtur në qytetin e Aquilas.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryetari i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, si dhe përfaqësues të delegacioneve nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse në program, si Republika e Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovina, Republikës Serbe, etj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se sot Tirana vlerësohet si partner i besuar dhe shumë cilësor nga partnerët, në zbatimin e fondeve IPA dhe të fondeve të Bashkimit Europian. “Ishte një kënaqësi e veçantë për të prezantuar Tiranën me gjithë zhvillimin galopant që qyteti ynë ka pasur vitet e fundit. Më vjen mirë që Tirana sot është afishuar si një partner shumë i besuar dhe shumë cilësor kur vjen puna në zbatimin e fondeve IPA dhe fondeve që vijnë nga BE.

 Ne kemi patur disa projekte të suksesshme, një prej tyre është shkolla “Ardian Klosi”, disa kopshte, çerdhe, blloqe të tëra banimi dhe shumë prej auditorëve evropianë janë jashtëzakonisht të kënaqur për mënyrën se si Tirana i përdor me cilësi dhe efikasitet fondet e BE”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu ambicien për të përfituar edhe më shumë fonde nga instrumentet IPA, si dhe nga ato të Bashkimit Europian, të cilat do të përdoren për përmirësimin e shërbimeve në shërbim të qytetarëve dhe për realizimin e një sërë investimesh të rëndësishme në kryeqytet.

“Mezi pres që të sjellim edhe më shumë fonde të huaja në Tiranë, kryesisht për të përdorur të gjithë instrumentet IPA, të paraanëtarësimit në BE, për t’u siguruar që Tirana është gjithmonë avangardë. Duhet ta pranojmë se ambicia jonë është shumë më e madhe se sa buxhetet modeste që kemi në Shqipëri.

Unë besoj që ajo që arrijmë të mbledhim si të ardhura me çfarë na jep bujarisht qeveria qendrore dhe me çfarë mund të marrim nga BE dhe instrumente të tjerë financiarë, na bëjnë sot një bashki e cila mund t’i përputhë ambiciet që ka për investime me të ardhurat që ka, si dhe me mundësinë që ka për të paguar këto investime”, deklaroi ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se buxheti i vitit 2018 do të mbështesë kryesisht investimet në zonat periferike të Tiranës, si dhe zhvillimin e infrastrukturës në zonat rurale. “Do të vazhdojmë këtë vit me një buxhet i cili është 15% më i lartë se buxheti i vitit të kaluar.

Fokusin më të madh do ta kemi në zonat rurale. Kemi bërë një listë prioritetesh të të gjithë rrugëve, investimeve, infrastrukturës, dhe po i ndajmë çfarë do të aplikojmë me fondet e BE dhe çfarë do të mbulojmë me fondet tona. Sot jemi në një situatë ku pas dy viteve pune intensive në Tiranë, fokusin më të madh do ta kemi tek zona e Astirit, pra që është gjithë zona

e Kasharit, pra zona e urbanizuar e Kasharit, tek zona e Freskut, pranë Dajtit, tek zona e Farkës, pranë Komunës së Parisit, pra një zonë ku kalon edhe unaza jugore, dhe te zona e Shkozës. Pra, po mundohemi që gradualisht ndikimin dhe cilësinë e punimeve ta shpërndajmë në mënyrë valore në pjesët periferike të Tiranës dhe mandej komponenti i dytë do të jetë fokusimi në fshat”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu theksoi se vizita në Abruzzo ishte një mundësi shumë e mirë edhe për të përfituar nga eksperienca në menaxhimin dhe përballimin e disa fatkeqësive natyrore që goditën këtë rajon gjatë viteve të fundit.

“Ndërkohë, në Aquila ishte një moment i mirë dhe për të marrë pak përvojë për menaxhimin edhe të emergjencave civile, një qytet që u shkatërrua totalisht dhe që ende është në rindërtim e sipër, ku humbën jetën mbi 300 banorë, për të kuptuar se qytetet sidomos, janë shumë vulnerabël ndaj dukurive natyrore, qoftë ky tërmeti, qoftë ky përmbytje, rrëshqitje të kodrave apo temperaturat ekstreme. Ajo që kemi kuptuar është që disa gjëra janë të zanatit, pra për të mësuar se si shpëtohen njerëzit dhe se si menaxhohen emergjencat civile, por disa të tjera janë edhe pjesë e një kulture qytetare që duhet të kemi, pa panik, me solidaritet, duke i mbështetur më të dobëtit, fëmijët dhe të moshuarit”, shtoi Veliaj.

Programi IPA Adriatik CBC, është instrumenti më i rëndësishëm i Bashkëpunimit Territorial në zonën adriatiko-joniane, me një buxhet rreth 244 milionë euro, përmes së cilit janë financuar 104 projekte, duke përfshirë 893 me karakter përfitues dhe 191 që kanë lidhje me selitë qendrore në territoret e 8 shteteve pjesëmarrëse.

Aktiviteti i organizuar nga Autoriteti i Menaxhimit të Programit IPA Adriatik CBC synon rritjen e shkëmbimit dhe të bashkëpunimit me institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, jo vetëm për objektivat domethënës që janë arritur përgjatë gjithë fazave të kohështrirjes së programit IPA-Adriatik, por gjithashtu për vendosjen e një dialogu mbi të ardhmen e politikës evropiane në zonën adriatiko-joniane.
veliaj
veliaj

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen