Itali- Dy persona me origjinë nga Maqedonia e Veriut janë arrestuar për krimin e ndodhur mbrëmjen e së hënës (25 Nëntor), në “Via Rizzardi” të Marghera.
Viktimë e sulmit me thikë mbeti shqiptari i identifikuar si Van Koxha, 41 vjeç, kurse i plagosur i vëllai i tij, që po trajtohet në spital.
Policia e Venecias informoi se të dy të plagosur rëndë kishin kërkuar ndihmën e efektivëve, teksa u goditën pranë një hoteli të zonës. Gjak gjithandej dhe plagë të shumta, kryesisht në pjesën e gjoksit.
Dhe teksa mbanin njëri-tjetrin nga krahët, dy vëllezërit iu drejtuan efektivëve: “Na therën me thikë, na ndihmoni!”.
Të plagosurit treguan edhe vendin e ngjarjes me gisht dhe autorët, pranë një lokali dhe përball hotel “Vjenës”. Një prej efektivëve dërgoi në spital të plagosurit rëndë, kurse të tjerët u vunë në ndjekje të autorëve, që i arrestuan pak metra më tej pas bllokimit në rrugë.
Një nga të dyshuarit u pa teksa hodhi thikën me forcë. Por në të nuk kishte gjurmë gjaku, teksa besohet se arma tjetër është fshehur apo hedhur diku tjetër. Të dy mohuan autorësinë e krimit, ndërsa ndodhen nën arrest.
Van Koxha dhe vendi i krimit
Pavarësisht ndihmës së menjëhershme, 41-vjeçari Van Koxha fatkeqësisht vdiq në spitalin e Mestres pas disa orësh, pasi plagët ishin të thella.
Media italiane raporton se personat e ndaluar nga policia janë dy maqedonas (u përfol edhe për moldavë). Ndoshta jo të vetmit e përfshirë. Koxha kishte plagë në shpinë, gjoks dhe krahë. Besohet se të paktën 2 të tjerë të përfshirë në krim, po maqedonas, u arratisën me një mjet dhe besohet se kanë pasur edhe armën e krimit me vete.
Policia deri tani ka zbuluar shkëmbime mesazhesh dhe disa prova.
“Disa nga katër maqedonasit ishin identifikuar një ditë më parë dhe ishin raportuar për lojëra të fatit, të gjetura nga oficerët e policisë duke luajtur lojën "tre kanaçe" në qendrën historike të Venecias. Është teknika e “tregtarëve të kutive” për të mashtruar turistët. Bastet me pagesë pranohen për këtë lojë të çuditshme dhe që besohet se është bërë shkak për sherrin e dhunshëm”, shkruan media.
Por zona njihet si një ndër më problematiket për sherre të shumta dhe ngjarje kriminale, nga lojërat e fatit ilegale, droga, grabitjet dhe vjedhjet.
Van Koxha
Policia thotë se sherri mes dy grupeve, shqiptarëve dhe maqedonase, mund të ketë edhe motive banale. Edhe dy shqiptarë të tjerë gjithashtu besohet se kanë qenë në vendngjarje dhe janë larguar. Asnjë prej të përfshirëve nuk ishte banor i zonës.
“E kemi thënë shumë herë se në Via Rizzardi mbretëron tregtia e drogës”, thonë banorët, shitësit dhe pronari i hotelit në Vjenë, përballë të cilit ndodhi therja me thikë.
Por fatkeqësisht krimi nuk i filmua nga asnjë prej kamerave aty. Kjo është vrasja e dytë në pak kohë në këtë zonë.