Ndryshe nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ku Renzi dominoi, këtë herë Lëvizja me 5 Yje e Beppe Grillos është hakmarrë, duke fituar në komunëne Livornos që deri më sot ishte bastion historik i PD-së, ndërsa vlen të theksohet se këto zgjedhje kanë dhënë shenja pozitive edhe për aleancën Forza Italia dhe Lega Nord.
Qyteti i Livornos, i cili që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore ka qenë gjithmonë krah PD-së, ka nxjerrë fitues me 53.06% të votave Filippo Nogarin të partisë Lëvizja me 5 Yje, ku në raundin e parë arriti të marrë vetëm 19.01%.
Sipas analistëve edhe pse PD ka marrë qytete të rëndësishme të qendrës së djathtë si Pescara, Cremona apo Pavia, sërish humbja e Livornos djeg. Megjithatë në këtë raund të dytë të zgjedhjeve lokale, ka pasur një rënie të pjesëmarrjes në zgjedhje, ku vetëm 49% e popullsisë me të drejtë vote kanë zgjedhur t’i drejtohen qendrave të votimit.
Komunat e humbura nga PD
E majta ka humbur terren edhe në Padova ku Maximum Bitonci, senator i Lega Nord, ka fituar me 53.5% udhëheqjen e qytetit duke mposhtur Ivo Rossi, me 46, 5%. Në Perugia Andrea Romizi i partisë Forza Italia të Silvio Berluskoni ka fituar lehtësisht me 58% garën ndaj kryetarit të komunës në largim Wladimiro Boccali i cili mori vetëm 42%. Edhe në komunën e Potenzas kandidati i majtë Luigi Petrone ka humbur përballë të djathtit Dario De Luca.
Renzi rimerr Bergamon pas 5 vitesh
Në Bergamo Giorgio Gori ka fituar sfidën me kryetarin e komunës në largim Franco Tentorio pas një balotazhi kokë më kokë e cila vazhdoi gjatë gjithë votimeve, duke ia rikthyer këtë komunë të majtëve, pas vitesh aleancë PDL-Lega.
Gjithashtu Pavia ka kaluar nga krahu i djathtë në të majtë, ku Alessandro Cattaneo, një nga "themeluesit" e Forza Italia, i cili pesë vjet më parë kishte fituar me lehtësi dhe madje një studim e kishte shpallur "kryebashkiaku më i dashur i Italisë , fillimisht u detyrua të shkojë në balotazh dhe më pas të humbasë zgjedhjet përballë Massimo Depaolit të Partisë Demokratike.
Po ashtu Partia e kryeministrit ka rimarrë Cremonan me Gianluca Galimberti i cili me 56,31% ka mundur lehtësisht kundërshtarin e djathtë Oreste Perri (43.69%). Ndryshime në favor të partisë së Renzit ka pasur edhe në Pescara (Marco Alessandrini, 66,34%), Vercelli (Maura Forte, 67.5%), Biella (Mark Cavicchioli, 59.17%) dhe Verbania (77,89%).
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)