ROME- Këshilli italian i Ministrave miratoi një projektligj për ratifikimin dhe zbatimin e Marrëveshjes mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për Projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Ky projektligj vë në fuqi marrëveshjen e nënshkruar nga të tre vendet, në 27 shtator 2012 në New York, për ndërtimin e këtij tubacioni të ri. Pas Shqipërisë dhe Greqisë, Italia është vendi i tretë që ratifikon marrëveshjen TAP.

"Ky projekt është një mjet i dobishëm për Italinë për të diversifikuar burimet energjetike dhe furnizuesit e energjisë, me efekte pozitive nga pikëpamja e sigurisë”, thuhet në njoftimit të shpërndarë nga zyra e Kryeministrisë italiane.

Në njoftim thuhet se “Marrëveshja, në të cilën Italia është angazhuar intensivisht prej kohësh, përcakton parimet e bashkëpunimit midis palëve dhe mbështetjen për projektin, duke parashikuar që dispozitat lidhur me transportin të jenë në përputhje me angazhimet e lëvizjes së lirë, si dhe të Traktatit të Bashkimit Europian, Kartës së Energjisë dhe Komunitetit të Energjisë. Kjo marrëveshje njeh rëndësinë e gazsjellësit, duke nxitur faktorët e ndryshëm që të mundësojnë procedurat e autorizimeve për zbatimin e saj”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)