ITALI - Napoli është futur në punë për të gjetur zëvendësin e trajnerit të larguar, Antonio Conte. Stafi i klubit 'të kaltër' me në krye drejtorin sportiv Giovanni Manna zhvilluan një takim këtë mëngjes në Romë me përfaqësuesit e trajnerit Vincenzo Italiano. Ky i fundit është gati të largohet nga Bologna dhe të hedhë firmën e re në kontratë, këtë herë me Napolin. Vincenzo Italiano përfaqësohej nga agjenti i njohur shqiptar, Fali Ramadani.

Qëllimi është që të arrihet një marrëveshje financiare, me Aurelio De Laurentiis që ka vendosur të përqëndrohet te ish-trajneri i Spezias dhe Fiorentinës për të filluar ciklin e ri. Një kontratë dy vjeçare (me një opsion të mundshëm për një sezon të tretë) me një pagë prej rreth 3 milionë eurosh thuhet se është në tryezë për trajnerin Italiano.

Alternativa kryesore e Italianos, nëse takimi në Romë nuk funksionon, mbetet Massimiliano Allegri, trajneri i cili u nda dje nga Milani pas vetëm një sezoni. Dështimi për t'u kualifikuar për Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm ishte vendimtar për këtë divorc. Në orët e fundit, tifozët e Milanit janë rikthyer në protestë, duke mbështetur ish-trajnerin dhe Igli Taren. Vlen të kujtohet se marrëdhënia midis Allegrit dhe De Laurentiis është e shkëlqyer.

Megjithatë, së fundmi mediet në Itali bëjnë me dije se pista Allegri është sfumuar, pasi gjithë energjia do të përqëndrohet te Italiano i cili duket gati për të marrë në dorë trashëgiminë që la Conte te Napoli.