Rreth 10 mijë protestues pro palestinezë u mblodhën mbrëmjen e sotme në Udine, ku po luhet ndeshja për kualifikueset e Kupës së Botës, mes Italisë dhe Izraelit. Ndërsa po ashtu protesta u mbajtën edhe në Bolonja, Milano dhe Ankona.
Protesta nuk ka përfunduar incidente. Disa protestues ngritën barriera për të sulmuar automjetet e blinduara të policisë.
Policia me pajisje speciale, e armatosur me shkopinj gome dhe mburoja, u përgjigj duke i shtyrë ata prapa, ndërsa u hodh edhe gaz lotsjellës. Ndërsa policia më pas mori kontrollit e sheshit kryesor të Udines.
"Na u desh të kryenim disa sulme lehtësuese që na lejuan të rimarrim kontrollin e sheshit", tha shefi i policisë së Udines, Pasquale Antonio de Lorenzo.
Një gazetar u plagos rëndë gjatë një sulmi me gurë ndaj oficerëve të policisë nga protestuesit në qendër të Udines.
Gazetari pësoi "një dëmtim të rëndë në kokë", për të cilin u dërgua fillimisht në një ambulancë për trajtim dhe më pas "u transferua me urgjencë në spital". Jeta e tij nuk besohet të jetë në rrezik, ndërsa rrethanat e sakta të incidentit nuk janë përcaktuar ende.
Ndërsa ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin i Italisë, Luca Ciriani, bëri thirrje para fillimit të ndeshjes se politika duhet të qëndrojë jashtë sportit.
"Jemi në Udine për të brohoritur për ekipin kombëtar italian. Është një ndeshje futbolli dhe politika duhet të qëndrojë jashtë këtyre rasteve, veçanërisht pasi dje u nënshkrua një marrëveshje paqeje që shpresojmë të zgjasë. Shpresojmë që më në fund të sjellë pak shpresë dhe kjo ndeshje mund të kishte qenë fillimi i një udhëtimi shprese dhe pajtimi.", u shpreh Ciriani.
Mediat Italiane bëjnë me dije se marshimi u mbyll rreth orës 21:40, teksa protestuesit u shpërndanë.
Komente










