Karabinierët e Borgo San Lorenzo, pranë Firences në Itali në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit në Shqipëri ‘kanë çmontuar’ sot një organizatë kriminale në përfundim të hetimeve të dosjes së ashtuquajtur “car sharing”.

Operacioni në Shqipëri është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, i drejtuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, me pjesmarrjen e Interpol Tirana dhe Drejtorisë Vendore Fier, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse Italiane të atashuar në vendin tonë (INTERFORCA).

Në Shqipëri u arrestuan Klevis Çela 34 vjeç, person me precedent penal dhe Shpat Zeqo 35 vjeç, të dy banues në Karbunarë, Lushnje. Në Itali u arrestuan H. SH. 28 vjeç dhe A. M. 45 vjeç, nga Lushnja si dhe D. T. 28 vjeç nga Durrësi,  të tre me banim të përkohshëm në Itali. Gjithashtu në Itali u shpall në kërkim E. H., me banim të përkohshëm në Itali.

Nga periudha gusht 2017 deri në mars 2018, Klevis Çela në rolin si organizator,  koordinator dhe përgjegjës i aktiviteteve kriminale të grupit që u godit mëngjesin e sotëm, negocionte me tregtarët e drogës dhe mbikëqyrte furnizmin me drogë, për ta trafikuar në rajonin e Toscanës.

Shpat Zeqo në rolin e tij si pjesëmarrës solid brenda grupit kriminal kontrabandonte lëndën narkotike kokainë  dhe ia dorëzonte personave që kishin negociuar më parë.

Gjithashtu Shpat Zeqo ishte i ngarkuar për të mbledhur para nga kontrabandistët vendas dhe konsumatorët.

Hetimi filloi pas një operacioni të kryer më parë gjatë të cilit u arrestuan nëntë persona për trafik ndërkombëtar droge të importuar kryesisht nga Hollanda. Grupi i ndaluar këtë mëngjes ishin ata që furnizonin me kokainë grupin e shpartalluar në 2018.

Shqiptarët lëviznin për makina me qira (të adaptuara me një fund tabani të dyfishtë) në mënyrë që të bëjnë gjurmueshmërinë e lëvizjeve të tyre më komplekse pë karabinierinë. Dorëzimet, me shumicë dhe pakicë, bëheshin në vende të pa rrahura nga njerëzit dhe një vendbanim në Prato.

Qarkullimi i mallit nga ana e organizatës ishte i madh. Ata kishin ‘trajtuar’ dhjetëra kilogramë kokainë në periudha të shkurtra (janar - mars 2018), me vlerë shitje 30-35 mijë euro secila ngarkesë.

Grupi hetimor ka dokumentuar rreth 200 ngarkesa kokainë të pastër dhe e cilësisë së lartë midis dhjetorit 2017 dhe maj 2018 vetëm në provincën e Firences, gjë e cila çoi në hetimin e njëmbëdhjetë personave të tjerë.

Gjatë hetimit, u arrestuan gjithashtu 6 persona të tjerë të cilëve iu sekuestruan 14 pako kokainë me peshë totale 14.5 kilogram, 1.2 të tjera të së njëjtës substancë, 2.7 marihuanë si dhe dy pistoleta si dhe një shumë parashë prej mbi 30 mijë euro.