Policia ka gjobitur dy drejtues gomonesh me 500 000 dhe 510 mijë lekë pasi lëviznin pranë bregut.
Të dy mjetet, njëri në Drimadhë e tjetri te Plazhi i Hidrovorit, janë bllokuar. Gjithashtu drejtuesi që kishte gomonen te Plazhi i Hidrovorit, s’ishte i pajisur as me dokumente.
Njoftimi i plotë:
DVKM Vlorë/Kontrolle, verifikime dhe reagim i menjëhershëm ndaj çdo indicieje të qytetarëve, me objektivin madhor, garantimin e sigurisë detare.
Rrezikuan pushuesit, duke lundruar në afërsi të brigjeve dhe pa dokumentacion në bord, në Potam dhe në “Plazhin e Hidrovorit”, ndëshkohen me gjoba 500 000 dhe 510 000 lekë.
Gjithashtu iu bllokohen mjetet lundruese (gomone).
-Menjëherë pas njoftimit se një mjet (gomone) ishte konstatuar duke lundruar afër bregut, në plazhin e Potamit, shërbimet e DVKM Vlorë organizuan punën për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të tij. Mjeti u lokalizua në plazhin e Drimadhes dhe u bllokua. Ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi H. L., u ndëshkua me 500 000 lekë gjobë.
-Gjatë patrullimeve në të gjithë vijën bregdetare në juridiksionin e DVKM Vlorë, u konstatua një tjetër mjet lundrues (gomone), duke lëvizur në afërsi të bregut, në zonën e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”. Mjeti u ndalua dhe u bllokua, ndërkaq, drejtuesi i tij, shtetasi E. Sh., u ndëshkua me 510 000 lekë gjobë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas nuk kishte në bord, dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Patrullimi vijon në të gjithë hapësirën detare të qarkut Vlorë.
Policia e Shtetit fton qytetarët, pushuesit dhe vizitorët, që të denoncojnë menjëherë, çdo paligjshmëri që cenon sigurinë detare dhe atë publike në përgjithësi, dhe i garanton se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit.
Komente








