Tre shtetas janë arrestuar në flagrancë mëngjesin e së premtes, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në automjet dhe banesë iu janë gjendur armë zjarri, kallëpe tritoli dhe lëndë narkotike. Report TV raporton se bëhet fjalë për vëllezërit Kastriot Gazidede (26 vjeç) S. Gazidede (16 vjeç), të dy banues në Tiranë, dhe për Lulzim Aruci (45 vjeç), banues në Shtish.

Dy vëllezërit u ndaluan në Pezë Helmë të Tiranës teksa po udhëtonin me automjetin "Mercedes Benz". Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 iu ka sekuestruar atyre 17 kallëpe tritoli, një  armë tip automatikë dhe 1.2 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa. Ndërsa Lulzim Aruci është arrestuar pas një kontrolli që i është bërë banesës së tij, nga ku i kanë sekuestruar një armë tip automatikë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Armë dhe kallëpe tritoli ë sekuestruara nga policia në Tiranë

Arma e sekuestruar gjatë aksioneve të policisë në Tiranë