Kompania estoneze fintech iute Group, ka fituar një vend të veçantë në listën e rëndësishme të prestigjiozes Financial Times, e cila rendit kompanitë me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë dekadës së fundit.
Lista e kompanive Evropiane, kampionë të rritjes afatgjatë, e përgatitur nga Financial Times dhe Statista, përfshin 300 kompani me rritjen më të lartë vjetore gjatë 10 viteve të fundit, duke përfshirë periudhën pas krizës financiare botërore, pandeminë COVID-19 dhe vitet e luftës në Ukrainë. Ndër kompanitë e paraqitura, janë disa emra mjaft të njohur si: Zalando, HelloFresh dhe Spotify.
Sipas Tarmo Sild, CEO i iute Group, kjo kompani fintech (kompani financiare që bazohet mbi zhvillimet teknologjike) u rendit në vendin e 49-të mes 300 kompanive. Gjatë 10-të vjeçarit të fundit, iute është zhvilluar në një grup bankar dhe vazhdon me rritjen e saj. “Misioni ynë në iute është të forcojmë klientët në Ballkan, qoftë nga ana financiare apo digjitale. Nëse kemi sukses në këtë, ne do të mbajmë rritjen tonë në vitet e ardhshme. Për momentin operojmë në pesë vende dhe mendojmë që ka potencial të rëndësishëm për zhvillime të mëtejshme,” shpjegoi Sild.
Gjermania ka më shumë kompani në mesin e kompanive kryesore, me 74 emra të rinj në listë. Pas Gjermanisë janë Italia me 55 kompani dhe Mbretëria e Bashkuar me 48. Sektorët më të përfaqësuar janë IT dhe softuerët, ndjekur nga ndërtimi dhe inxhinieria dhe më pas logjistika dhe transporti.
Bazuar në metodologjinë e zhvilluar nga Financial Times dhe platforma gjermane e të dhënave Statista, renditja përfshin kompanitë me të ardhura prej të paktën 100,000 € në 2013 dhe të paktën 10 milion € në 2023. Për më tepër, kompanitë duhet të kenë selinë qendrore në Evropë dhe rritja e tyre duhet të ishte kryesisht organike. Hyrja në renditje kërkonte paraqitjen e të dhënave të sakta dhe të vërtetuara, të cilat Statista i rishikoi dhe verifikoi. Për të llogaritur rritjen e kompanive është përdorur një formulë komplekse, duke mundësuar një krahasim të besueshëm të kompanive.