DURRËS - Sot, në ditën e dytë të Takimit të Pestë Rajonal të Presidentëve, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me Presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov.

Presidenti Nishani, pas fjalëve të mirëseardhjes, u shpreh se Maqedonia është një vend mik dhe fqinji ynë shumë i rëndësishëm dhe nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë është një shembull i ndërtimit të marrëdhënieve mes vendeve, bazuar në besimin tek njëri-tjetri.

Ky bashkëpunim i shërben qytetarëve të dy vendeve tona, si edhe paqes e prosperitetit rajonal, pasi përbën një bazë të shëndoshë për projekte madhore të përbashkëta në nivel rajonal e më gjerë.

Presidenti Ivanov e vuri theksin te projektet për ndërtimin e Korridorit 8-të dhe të Magjistrales Adriatiko-Joniane dhe mbi nevojën e ndryshimit të infrastrukturës aktuale, që sipas Kreut të Shtetit maqedonas, po e mban rajonin peng të hegjemonive të vjetra.

Të dy Presidentët ranë dakord të inkurajojnë qeveritë e vendeve tona për të marrë hapat e nevojshme për realizimin e projekteve konkrete në fusha si: infrastruktura, energjetika, turizmi, bashkëpunimi ndërkufitar dhe rritjen e shkëmbimeve ekonomike e kulturore.  

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)