Përfaqësuesit e SHBA dhe BE janë shprehur të shqetësuar për situatën e krijuar në shtetin fqinj duke thënë se vendi largohet nga parimet demokratike. Ndërsa Presidenti Hahim Thaçi ka akuzuar Ivanov se abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare.
Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily reagoi ndaj vendimit të Gjorgje Ivanovit për të mos mandatuar Zoran Zaevin për krijimin e qeverisë së re, duke i bërë thirrje të rishikojë lëvizjen e tij.
Përmes një postimi në Twitter ai u shpreh se pajtohet me deklaratën e komisionerit Johannes Hahn, i cili e kritikoi vendimin e presidentit Ivanov.
Edhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Ivo Vajgl tha se presidenti maqedonas duhet ta rishikojë vendimin e marrë, i cili, sipas tij , është në dëm të interesave të vendit dhe në kundërshtim me pritshmëritë e Parlamentit Europian, apo institucioneve të tjera të bllokut.
Më herët, lëvizja Besa doli me një deklaratë ku e cilësonte këtë si një moment shumë të trazuar për vendin dhe i drejtohej me një apel të drejtpërdrejtë Bashkimit Europian dhe NATO-s për të ndihmuar në rivendosjen e sundimit të ligjit.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti reagoi duke sqaruar se deklarata e partive shqiptare nuk e cenon në asnjë mënyrë ose formë shtetin dhe unitetin e vendit e nuk profetizon federalizmin apo ndarjen.
Ndërsa Presidenti Hashim Thaçi ka akuzuar presidentin e Maqedonisë, se abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti.
Mbrëmjen e djeshme Ivanov refuzoi të mandatojë kreun e LSDM për të formuar qeverinë e re pasi sipas tij pengesë është platforma shqiptare.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com