Gadi Eisenkot, kreu i partisë Yashar, që ka marrë mandatin për të formuar qeverinë e re të Izraelit, po përgatit një plan për të zëvendësuar Benjamin Netanyahun në postin e kryeministrit, edhe nëse nuk arrin të sigurojë mbështetjen e të gjithë partnerëve të tij politikë. Ai synon të shpallë formimin e koalicionit brenda javëve të ardhshme dhe ta çojë qeverinë për votim në Parlament sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas TV publik izraelit Kan, Eisenkot planifikon që, nëse arrin marrëveshjen për koalicionin, ta shpallë atë papritur dhe të kërkojë votimin e qeverisë në Knesset brenda një ose dy ditësh.  Sipas The Times of Israel, me këtë lëvizje, Eisenkot synon të kufizojë kohën për manovra politike dhe largime të mundshme të deputetëve, që mund të pengojnë betimin e qeverisë së re.

Por plani i tij nuk mbështetet vetëm te sigurimi i një shumice parlamentare. Eisenkot ka deklaruar më herët se do të përpiqet të formojë qeverinë edhe nëse disa prej partnerëve të tij nuk pranojnë ta mbështesin.

Ai shpreson që këta deputetë, edhe nëse nuk votojnë pro, të paktën të mos votojnë kundër qeverisë. Kjo do t'i hapte rrugë formimit të një qeverie pakice, me Eisenkot në krye, duke zëvendësuar Netanyahun.

Sipas këtij skenari, Eisenkot do të mund të merrte postin e kryeministrit edhe nëse qeveria e tij do të rrëzohej më vonë dhe vendi do të shkonte sërish në zgjedhje.

Deri më tani disa anëtarë të bllokut të tij kanë përjashtuar publikisht mundësinë e bashkëpunimit me partnerë të mundshëm të qeverisë së re.