Izraeli dhe Hamasi janë dakordësuar për fazën e parë të planit të paqes në Rripin e Gazës. Donald Trump, i cili bëri njoftimin përmes një postimi në Truth Social, thekson se shumë shpejt do të dorëzohen pengjet izraelite dhe se IDF do të tërheqë të gjithë trupat në një vijë të rënë dakord.

"Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord, si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë!", shkroi mes të tjerash Trump. 

IDF do të tërhiqet nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës (duke mbetur vetëm në Rafah) brenda 24 orëve të ardhshme. Në këmbim të pengjeve, do të lirohen rreth 2 mijë të burgosur palestinezë (250 në burgjet izraelite dhe 1,700 në Gaza) dhe shkëmbimi do të bëhet brenda 72 orëve nga zbatimi i marrëveshjes së arritur. 

Por armëpushimi do të hyjë në fuqi vetëm kur qeveria izraelite ta miratojë zyrtarisht marrëveshjen. Mund të hasen probleme pasi ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich theksoi se partia e tij "nuk do t'i bashkohet festimeve të shkurtra dhe nuk do të votojë në favor të marrëveshjes".

Faza e dytë e bisedimeve mes delegacioneve pritet të nisë pas dorëzimit të të gjithë pengjeve nga Hamasi. Familjarët e pengjeve shprehën falenderime për Trump, ndërsa në rrugët e Gazës, palestinezët dolën duke festuar. Edhe në Tel Aviv, një turmë e madhe njerëzish u mblodh në Sheshin e Pengjeve.

Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se të gjithë pengjet mund të dorëzohen të hënën. Ai pritet të udhëtojë javën e ardhshme në Izrael dhe të flasë edhe në Knesset. Ushtria izraelite thuhet se ka nisur përgatitjet për një tërheqje të pjesshme të trupave nga Rripi i Gazës. 

Dakordësia për fazën e parë u përshëndet nga udhëheqësit botërorë.

Lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
Trump njofton vizitë në Lindjen e Mesme: I dhamë fund luftës në Gaza, javën e ardhshme lirohen pengjet

1760029561_donaldtrump.webp

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur si i dhanë fund luftës në Gaza, duke shpresuar tashmë në një paqe të qëndrueshme afatgjatë.

Gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump theksoi se javën e ardhshme, ndoshta të hënën ose të martën, do të lirohen edhe pengjet nga Hamasi.

“Ne e përfunduam luftën në Gaza dhe në një kuptim shumë më të gjerë, krijuam paqe. Unë besoj se kjo do të jetë një paqe e qëndrueshme, shpresojmë një paqe e përjetshme”.

Presidenti Trump bëri të ditur gjithashtu se shumë shpejt do të niset për një vizitë në Lindjen e Mesme.

“Ne do të shkojmë në Egjipt ku do të realizojmë një nënshkrim zyrtar,” tha ai, duke shpjeguar se një nënshkrim ka ndodhur tashmë në emër të tij, por do të bëhet një nënshkrim i ri dhe zyrtar.

“Nuk do të qëndroj shumë gjatë këtu, pasi do të nisem së shpejti për në Lindjen e Mesme”, theksoi Trump.

Megjithatë, sipas burimeve të BBC, Presidenti amerikan nuk do të vizitojë Gazën gjatë vizitës  në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, Trump shtoi se sulmi ndaj Iranit ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë marrëveshje paqeje mes Hamasit dhe Izraelit.

SHBA goditi objektet bërthamore të Iranit në muajin qershor, dhe sipas tij, "Irani dëshiron të punojë për paqe tani dhe na ka informuar për këtë. Ata e kanë pranuar se janë plotësisht në favor të këtij marrëveshjeje dhe mendojnë se është një gjë e shkëlqyer."

Ora 17:50
Marrëveshja Hamas-Izrael, Guterres: Ky përparim tregon forcën e diplomacisë

1757430790_antonioguterres.jpg

Foto: Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti marrëveshjen midis Hamasit dhe Izraelit në një mesazh të shkurtër të lexuar në selinë e OKB-së.

"Ky përparim i madh, na tregon forcën dhe potencialin e diplomacisë", tha Guterres.

Le të jetë një kujtesë", shtoi ai, "se zgjidhjet për konfliktet nuk gjenden në fushën e betejës. Ato duhet të farkëtohen në tryezën e negociatave dhe, më e rëndësishmja, të zbatohen plotësisht. Bota po na shikon".

Ora 16:53
Çmimi Nobel për Paqen, Netanyahu: Jepjani Donald Trump, e meriton

Foto: Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shkaktuar reagime të shumta me një postim në platformën X, ku bën thirrje që Presidentit të SHBA, Donald Trump, t’i jepet Çmimi Nobel për Paqen, duke deklaruar se ‘e meriton’.

“Jepini Donald Trump-it Çmimin Nobel për Paqen e meriton”, shkruan Netanyahu .

Postimi shoqërohej me një fotografi të krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, në të cilën shfaqet vetë Netanyahu duke i vendosur Trump-it një medalje gjigande, që i ngjan Çmimit Nobel për Paqen.

Ora 16:45
Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë, më pas qeverinë ku do miratohet marrëveshja me Hamasin

1760021383_qeveriaeizraelit.JPG

Në Izrael ka nisur mbledhja e kabinetit të sigurisë I cili do të pasohet nga mbledhja e qeverisë. Oraret I konfirmoi më herët zëdhënësja e qeverisë izraelite e cila sqaroi se në orën 16:00 (sipas orës shqiptare) mbahet një mbledhje e kabinetit, dhe një orë më vonë do të zhvillohet mbledhja e qeverisë për të miratuar marrëveshjen. Mediat në Izrael raportojnë se pritet që marrëveshja e dakordësuar në Egjipt do të marrë dritën jeshile nga qeveria.

Ora 16:13
Marrëveshja për armëpushimin, Donald Trump të dielën në Izrael

1759939871_donaldtrump.webp

Presidenca e Izraelit ka njoftuar përmes një deklarate se Presidenti amerikan do të jetë në Izrael. Institucioni i kryesuar nga Isaac Herzog thotë: “Në dritën e lirimit të pengjeve dhe ardhjes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në Izrael, si dhe për shkak të mbylljeve të planifikuara në Jeruzalem, anulohet ceremonia e 'Sukkà-s së hapur' (festa hebraike e kasolleve), e parashikuar për të dielën e ardhshme.” Donald Trump tha të enjten se 

Ora 14:53
WSJ: Hamasi kërkon 10 ditë kohë për të gjetur trupat e pengjeve të vdekura

1760014455_1759572895pengjet.jpg

Gjatë negociatave, Hamasi thuhet se njoftoi se i duheshin të paktën 10 ditë për të gjetur trupat e pengjeve të vdekura izraelite në Rripin e Gazës, raportoi Wall Street Journal, duke cituar burime të informuara.

Ora 13:45
Në pritje të miratimit të marrëveshjes, izraelitët mblidhen në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv (VIDEO)

1760010576_G2z5iqEWcAEOtiS.jfif

Një turmë e madhe është mbledhur në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv duke pritur miratimin e marrëveshjes së paqes në Sharm el-Sheikh të Egjiptit. 

Marrëveshja e arritur mbrëmë duhet të ratifikohet në parlamentin izraelit, dhe më pas armëpushimi do të hyjë në fuqi. Nga dakordësia e arritur për këtë fazë të parë të marrëveshjes, pritet dorëzimi i pengjeve izraelite të mbetur në Gaza dhe i rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë në Izrael.

Ora 13:30
Hamasi deklaratë zyrtare pas arritjes së marrëveshjes: Izraeli t’i përmbahet detyrimeve të saj

1759680082_luftanerripinegazes.webp

Hamasi ka lëshuar një deklaratë zyrtare pasi u dakordësua me Izraelin për fazën e parë të planit të paqes në Gaza, që përfshin shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë si dhe tërheqjen e IDF-së. Në deklaratë, Hamasi thotë se kanë arritur një marrëveshje që parashikon përfundimin e luftës, tërheqjen e trupave izraelite, dorëzimin edhe të burgosurve dhe hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Hamasi i bën thirrje gjithashtu SHBA-së që të detyrojë Izraelin t’i përmbahet marrëveshjes.

"Pas negociatave serioze dhe të përgjegjshme të kryera nga lëvizja dhe fraksionet palestineze të rezistencës në lidhje me propozimin e Presidentit Trump në Sharm el-Sheikh, me qëllim përfundimin e luftës shfarosëse kundër popullit tonë palestinez dhe arritjen e tërheqjes së pushtimit nga Rripi i Gazës, Lëvizja Islamike e Rezistencës (Hamas) njofton se ka arritur një marrëveshje që parashikon përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e pushtimit, hyrjen e ndihmës humanitare dhe një shkëmbim të të burgosurve. Ne i vlerësojmë thellësisht përpjekjet e ndërmjetësve tanë vëllezër në Katar, Egjipt dhe Turqi, ashtu siç vlerësojmë angazhimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndaluar përfundimisht luftën dhe për të siguruar tërheqjen e plotë të pushtimit nga Rripi i Gazës. Ne i bëjmë thirrje Presidentit Trump, vendeve garantuese të marrëveshjes dhe të gjitha palëve arabe, islamike dhe ndërkombëtare që ta detyrojnë qeverinë pushtuese të përmbushë plotësisht detyrimet e saj sipas marrëveshjes dhe të mos e lejojnë atë të shmangë ose vonojë zbatimin e angazhimeve të saj. Ne përshëndesim popullin tonë të madh në Rripin e Gazës, në Jerusalem, në Bregun Perëndimor, brenda atdheut dhe në diasporë, i cili ka demonstruar qëndrueshmëri heroike dhe dinjitet të pashembullt, duke iu kundërvënë planeve fashiste të pushtimit që synojnë t'i shënjestrojnë ata dhe t'u mohojnë të drejtat e tyre kombëtare. Këto sakrifica dhe qëndrime heroike kanë penguar planet e Izraelit për nënshtrim dhe dëbim. Ne përsërisim se sakrificat e popullit tonë nuk do të shkojnë kot dhe se ne do t'i qëndrojmë besnikë angazhimit tonë. Ne nuk do të heqim dorë nga të drejtat kombëtare të popullit tonë derisa ata të arrijnë lirinë, pavarësinë dhe vetëvendosjen.", thuhet në deklaratë.

Ora 13:28
Von der Leyen: Dakordësia Izrael-Hamas, një mundësi për të krijuar një rrugë të besueshme drejt paqes! Palët të respektojnë marrëveshjen

1759221625_ursulavonderleyen.JPG

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka përshëndetur dakordësinë e arritur mes Hamasit dhe Izraelit për fazën e parë të planit të paqes në Gaza. Në një postim në X, diplomatja tha se tani duhet që të dyja palët t'i përmbahen kushteve të marrëveshjen dhe të gjithë pengjet të dorëzohen. 

"Përgëzoj përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë në arritjen e këtij përparimi. Jam gjithashtu e inkurajuar nga mbështetja e Qeverisë së Izraelit dhe Autoritetit Palestinez. Tani, të gjitha palët duhet t'i përmbahen plotësisht kushteve të marrëveshjes. Të gjithë pengjet duhet të lirohen në mënyrë të sigurt. Duhet të vendoset një armëpushim i përhershëm. Vuajtjet duhet të marrin fund.  BE-ja do të vazhdojë të mbështesë shpërndarjen e shpejtë dhe të sigurt të ndihmës humanitare në Gaza. Dhe kur të vijë koha, ne do të jemi gati të ndihmojmë me rimëkëmbjen dhe rindërtimin. Mundësia e sotme duhet të shfrytëzohet. Është mundësia për të krijuar një rrugë të besueshme politike drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Një rrugë e ankoruar fort në zgjidhjen me dy shtete.", tha ajo. 

Ora 13:06
Plani i paqes në Gaza/ Faza e dytë e bisedimeve do të fillojë sapo të dorëzohen pengjet

1759322225_gaza.jpg

Bisedimet për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit do të fillojnë një ditë pasi pengjet të lirohen, thanë burime për kanalin televiziv të Katarit Al-Araby, pa specifikuar nëse ato parashikojnë kthimin e të gjithë pengjeve, përfshirë të ndjerit, apo vetëm të atyre që janë ende gjallë. 

Kanali raporton gjithashtu se Egjipti ka informuar diplomatët amerikanë se nuk do ta lejojë Izraelin të mbajë një prani të përhershme përgjatë kufirit egjiptian me Gazën. Izraeli ka këmbëngulur në mbajtjen e trupave në zonën e Korridorit të Filadelfias për të luftuar atë që e përshkruan si aktivitet masiv kontrabande.

Ora 11:59
Ministri izraelit i ekstremit të djathtë Bezalel Smotrich: Partia ime nuk do të votojë në favor të marrëveshjes

1759241787_1756453447bezalelsmotrich.jpg

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, tha pas njoftimit të marrëveshjes për Gazën se partia e tij "nuk do t'i bashkohet festimeve të shkurtra dhe nuk do të votojë në favor të marrëveshjes".

Smotrich shtoi se ishte i kënaqur që kishte mundësinë të ishte midis udhëheqësve që kundërshtonin marrëveshjet e mëparshme të kufizuara, të cilat, sipas tij, "lanë gjysmën e pengjeve në robëri". 

"Pas kthimit të të rrëmbyerve, Izraeli (duhet) të vazhdojë të punojë me të gjitha forcat e tij për shkatërrimin e vërtetë të Hamasit dhe demilitarizimin e vërtetë të Gazës, në mënyrë që ai të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin", shkroi Smotrich në X.

Ora 10:25
I dërguari special Witkoff dhe dhëndri i Trump, sonte në Izrael

1759999810_kushnerëitkoff.JPG

I dërguari amerikan Steve Witkoff dhe këshilltari si dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, pritet të mbërrijnë në Izrael sonte, ose në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke u nisur direkt nga Sharm el-Sheikh, ku janë mbajtur negociatat për paqen në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Të dy kanë qenë të deleguarit e Trump për procesin e zhvilluar në Sharm el-Sheikh. Jared Kushner mendohet të jetë arkitekti i planit me 20 pika të Presidentit amerikan, që u bë publik javën e kaluar në Uashington. Lajmi raportohet nga Ynet.

Ora 10:21
Ushtria izraelite nis përgatitjet për tërheqje të pjesshme nga Gaza

1759998267_ushtriaizraelite.JPG

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë filluar përgatitjet për një tërheqje të pjesshme të trupave nga Rripi i Gazës, në kuadër të marrëveshjes për armëpushim me Hamasin. Lajmin e raporton Times of Israel. Në një deklaratë, ushtria thotë se “sipas udhëzimeve nga niveli politik dhe në përputhje me një vlerësim të situatës, IDF ka nisur përgatitjet operacionale për zbatimin e marrëveshjes.” Si pjesë e këtyre përgatitjeve, ushtria shprehet se është gati të zhvendosë trupat në “vija të reja vendosjeje në të ardhmen e afërt”. “IDF vazhdon të jetë e pranishme në zonë dhe po përgatitet për çdo zhvillim operacional,” shton ushtria. Në një komunikatë të mëparshme, IDF paralajmëroi se veriu i Rripit të Gazës mbetet aktualisht një zonë lufte. “Sipas planit të përgatitjes për zbatimin e marrëveshjes, vijat e vendosjes (brenda Rripit të Gazës) do të ndryshojnë me shpejtësi,” thuhet në një tjetër deklaratë ushtarake. Sot pritet të mbahet një mbledhje e kabinetit të qeverisë izraelite, për të shqyrtuar dhe miratuar marrëveshjen.

 

Ora 09:17
Ja për çfarë ranë dakord Izraeli dhe Hamasi në Egjipt!

1759994521_palestinezetfestojne.JPG

Marrëveshja për fazën e parë të armëpushimit pritet të miratohet dhe pas kësaj do të nisë numërimi mbrapsht për kthimin e pengjeve izraelite, lirimin e të burgosurve palestinezë, tërheqjen e ushtrisë izraelite (IDF) dhe, ndoshta, për të filluar të imagjinohet e ardhmja e një territori (Rripi i Gazës) ku në dy vite kanë vdekur 67 mijë persona, janë plagosur 168 mijë, dhe dy milionë njerëz kanë humbur shtëpitë, shkollat, shpresat, ëndrrat.

Kohët e marrëveshjes: 24 orë për tërheqje, pastaj 72 për pengjet

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë CNN-it se “pasi të votohet marrëveshja, Izraeli do të duhet të tërhiqet në vijën e rënë dakord, çka pritet të zgjasë më pak se 24 orë.” Pasi Izraeli të jetë larguar, do të nisë afati 72-orësh për lirimin e pengjeve izraelite. Të gjallët do të kthehen në shtëpi nga e diela deri të hënën; më pas do të kthehen trupat e të vdekurve dhe vetëm pas kësaj do të fillojë lirimi i të burgosurve palestinezë.

Pengjet: Si do të funksionojë lirimi

Të parët që do të dalin – të shoqëruar nga punonjës të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq – do të jenë 20 izraelitët e gjallë. Më pas do të fillojnë operacionet për kthimin e trupave të atyre që u vranë më 7 tetor ose që kanë vdekur në robëri. Sipas CNN-it, Hamasi nuk është në gjendje të gjejë rreth dhjetë trupa, që ndodhen nën rrënoja ose në zona të shkatërruara nga bombardimet. Ky është një detaj për të cilin do të punohet më tej, por që nuk e vë në rrezik marrëveshjen, pasi është tashmë i njohur për Izraelin.

Të burgosurit palestinezë – çështja Barghouti

Sipas BBC-së, Izraeli ka refuzuar lirimin e Marwan Barghoutit, pavarësisht këmbënguljes së Hamasit për ta përfshirë në marrëveshje. Emra të tjerë për të cilët nuk ka marrëveshje janë: Abdullah Barghouti, Ahmed Saadat, Hassan Salama, Abbas al-Sayyed – persona që Izraeli i konsideron si truri i sulmeve që tronditën vendin në fillim të viteve 2000.

Do të lirohen 250 të dënuar me burgim të përjetshëm nga 285 gjithsej, dhe 1,700 persona të arrestuar në Gaza gjatë këtyre dy viteve.
Hamasi ka kërkuar që në këtë grup të përfshihen edhe disa nga luftëtarët e brigadave elitë Al Nukba, por Izraeli nuk pranon: këta janë personat që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023.

Ndihmat për popullsinë e Gazës

Do të hyjnë menjëherë: 400 kamionë në ditë në fazën e parë, me rritje progresive. Do të duhet të qartësohet se çfarë do të lejohet të hyjë: ka nevojë për eskavatorë, tenda, ndërtesa të përkohshme (prefabrikat), përveç ushqimeve dhe ilaçeve.

Tërheqja e IDF nga Gaza – përjashto Rafahun

Ushtria izraelite (IDF) pritet të largohet nga “shumica” e territorit të Rripit të Gazës, por do të ruajë praninë e saj në Rafah, zona kufitare me Egjiptin, që për vite ka qenë një pikë e nxehtë për kontrabandën e armëve dhe materialeve të ndaluara, sipas Izraelit. Por mbeten ende shumë detaje për t’u sqaruar në këtë pikë. Operacioni është gati prej ditësh dhe nuk pritet të zgjasë më shumë se 24 orë.

Hamasi dhe çarmatimi

Hamasi është zotuar të dorëzojë armët, por jo të largohet nga procesi politik.
Për të garantuar këtë pikë, janë përfshirë vende arabe: Katar dhe Turqia në radhë të parë, të cilat janë thirrur të mbikëqyrin një nga çështjet më delikate të javëve në vijim.

Roli i Shteteve të Bashkuara

Donald Trump mund të mbërrijë në Izrael brenda orëve në vijim: Netanyahu e ka ftuar të flasë në Knesset (parlamentin izraelit), një lëvizje që synon edhe të qetësojë tensionet me krahun më të djathtë të qeverisë së tij, i cili është kundër kësaj marrëveshjeje.

E ardhmja e Gazës dhe pasiguritë

E ardhmja mbetet plot me pikëpyetje:

  • Kush do të qeverisë Gazën?
  • Si do të funksionojë organizmi ndërkombëtar i drejtuar nga Donald Trump dhe Tony Blair?
  • Kush do të përfaqësojë palestinezët?
  • A do të arrijnë vërtet vendet arabe të garantojnë çarmatimin e Hamasit?
  • A do të sigurojë Trump që Izraeli të mos e anulojë marrëveshjen pasi të kthehen pengjet, siç ka ndodhur në të kaluarën?

Të gjitha janë ende pyetje pa përgjigje.

//La Repubblica

 

Ora 08:40
Kallas: Ky është një hap i rëndësishëm përpara, ne do të bëjmë pjesën tonë për të mbështetur paqen

1758114161_kajakallas.png

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas ka përshëndetur arritjen e dakordësisë për fazën e parë të planit të paqes në Gaza. Ajo e cilëson si një hap të madh drejt dhënies fund të luftës në enklavë.

"Marrëveshja për fazën e parë të marrëveshjes së paqes në Gaza shënon një hap të madh përpara. Ky është një arritje e madhe diplomatike dhe një mundësi reale për t'i dhënë fund një lufte shkatërruese dhe për të liruar të gjithë pengjet. BE-ja do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbështetur zbatimin e saj", tha Kallas.

Ora 08:37
IDF fillon përgatitjet për tërheqjen nga Gaza

1759323197_AFP20250930778692Vv2HighResTopshotIsraelPalestinianConflictGaza1759228397.webp

Ushtria izraelite njoftoi se ka filluar përgatitjet dhe ka vendosur një protokoll për t'u tërhequr së shpejti në vijën e fazës së parë të tërheqjes nga Gaza. "Ushtria ka filluar përgatitjet operative për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit", thuhet në një deklaratë.

"Si pjesë e këtij procesi, përgatitjet dhe një protokoll luftimi janë duke u zhvilluar për të arritur shpejt në linjat e rishikuara të vendosjes." 

Propozimi i armëpushimit i Presidentit të SHBA-së Donald Trump përcakton që ushtria izraelite duhet të bëjë një tërheqje fillestare nga Gaza në "vijën e verdhë", afërsisht 1.5 kilometra në pikën e saj më të ngushtë dhe 6.5 kilometra në pikën e saj më të gjerë nga vija e demarkacionit midis Gazës dhe Izraelit. Tërheqja duhet të ndodhë para të hënës, ditës kur Trump njoftoi se milicitë e Hamasit do të dorëzojnë 48 pengjet, të vdekur dhe të gjallë, ende në duart e tyre.

Sipas gazetës Haaretz, kjo fazë e parë e tërheqjes do të sigurojë vendndodhjen e pengjeve të mbajtura nga krahu i saj i armatosur, Brigadat Ezzedine Al Qassam, si dhe nga grupe të tjera, siç është Xhihadi Islamik. Orari për fazat e tjera të tërheqjes së trupave izraelite nuk është njoftuar ende. Pasi të arrijnë "vijën e verdhë", ata do të mbeten të pranishëm në afërsisht gjysmën e enklavës (deri më tani, ata kontrollonin mbi 80%).

Ora 08:14
Trump: Do të përfshihemi në paqeruajtjen në Gaza

1759242635_presidentidonaldtrump.png

Në një intervistë me Fox News, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se Hamasi mund të fillojë dorëzimin e pengjeve që të hënën.

"Kjo ka të bëjë me më shumë sesa Gazën, kjo ka të bëjë me paqen në Lindjen e Mesme”, tha Trump në një intervistë telefonike.

Ai tha gjithashtu se Gaza do të jetë një "vend paqësor dhe shumë më i sigurt në të ardhmen dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për të siguruar sigurinë dhe prosperitetin e saj."

Vende të tjera në rajon do të kontribuojnë në rindërtim sepse kanë pasuri të jashtëzakonshme", tha Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë "për t'i ndihmuar ata të kenë sukses dhe të ruajnë paqen".

Ora 08:12
Starmer: Marrëveshja për Gazën të zbatohet menjëherë, të hiqen edhe kufizimet për ndihmat humanitare

1758471461_68d010ad3e478.jpeg

Kryeministri britanik, Keir Starmer ka përshëndetur dakordësinë e arritur mes Hamasit dhe Izraelit për fazën e parë të planit të paqes në Gaza. Në një deklaratë për shtyp, Starmer thotë se marrëveshja duhet të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa dhe të shoqërohet gjithashtu edhe me heqjen e kufizimeve për ndihmat humanitare.

 “Jam mirënjohës për përpjekjet e palodhura diplomatike të Egjiptit, Katarit, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, të mbështetura nga partnerët tanë rajonalë, në sigurimin e këtij hapi të parë vendimtar. Kjo marrëveshje tani duhet të zbatohet plotësisht, pa vonesë, dhe të shoqërohet me heqjen e menjëhershme të të gjitha kufizimeve për ndihmën humanitare që shpëton jetë në Gaza.

U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbushin angazhimet që kanë marrë, të përfundojnë luftën dhe të ndërtojnë themelet për një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm të konfliktit dhe një rrugë të qëndrueshme drejt një paqeje afatgjatë. Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë këto hapa të menjëhershëm vendimtarë dhe fazën tjetër të bisedimeve për të siguruar zbatimin e plotë të planit të paqes.", ka thënë ai.