Hamasi do të ketë një afat 60-ditor për të realizuar çarmatimin e plotë, përndryshe Izraeli do të rikthehet në operacione ushtarake në Rripin e Gazës, paralajmëroi sekretari i kabinetit dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Benjamin Netanyahu, Yossi Fuchs.

Duke folur në një konferencë në Jerusalem, Fuchs deklaroi se administrata amerikane e Donald Trump ka kërkuar këtë periudhë 60-ditore dhe “ne e respektojmë atë”.

Ndër të tjera ai theksoi se Hamasi duhet të dorëzojë të gjitha armët, përfshirë edhe pushkët automatike.

“AK-47 e tyre do të hiqen plotësisht”, u shpreh ai, duke shtuar se ende nuk është e qartë se kur do të nisë afati 60-ditor, por vlerësoi se ai mund të fillojë me Konferencën e Këshillit të Paqes që është planifikuar për të enjten.

“Do ta vlerësojmë”, deklaroi ai. “Nëse funksionon, atëherë gjithçka do të jetë shumë mirë. Nëse jo, atëherë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të duhet të përfundojnë misionin e tyre”, vijoi më tej.

Fuchs shtoi gjithashtu se është një “vlerësim logjik” që para zgjedhjeve të mundshme izraelite, të cilat mund të mbahen në qershor, Hamasi ose do të ketë dorëzuar armët, ose ushtria izraelite do të jetë në mes të një fushate intensive ushtarake në Gaza.

Ai theksoi po ashtu se ka shumë tunele nëntokësore që duhet të shkatërrohen në kuadër të procesit, “edhe nga ana jonë”.

Duke iu referuar kibucit Be’eri, pranë kufirit me Gazën, i cili u sulmua nga Hamasi më 7 tetor 2023, ai deklaroi: “Sot, kushdo që punon tokën në Be’eri sheh detin. Në Rripin e Gazës kanë mbetur shumë pak ndërtesa në këmbë, por puna ende nuk ka përfunduar”.